Kosova vendi më i sigurtë në Evropë, Policia: Dëshmi e qartë e përkushtimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike

Prishtinë | 23 Sht 2025 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Pasi Kosova u rendit vendi i parë më i sigurtë në Evropë dhe i treti në botë, kanë reaguar nga Policia e Kosovës. Ata thonë se vlerësimi i raportit të Gallup është dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

 “Raporti më i ri ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të muajit shtator, ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e pozicionuar të tretën në nivel global dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit. Sipas raportit, Kosova ka arritur rezultat 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë) si tre vendet më të sigurta në botë. Ky rezultat e bën Kosovën vendin më të sigurt në Evropë, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra. Po ashtu, raporti thekson se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonën ku jetojnë, përqindje që e vendos Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë në botë dhe në Evropë”, thuhet në komunikatën e policisë. Më tej është theksuar se “Këto rezultate janë të lidhura ngushtë edhe me përkrahjen e vazhdueshme që Policia e Kosovës gëzon nga institucionet vendore dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet tjera të sigurisë, të cilat së bashku krijojnë një sistem gjithëpërfshirës për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend. Ky vlerësim ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, forcimin e bashkëpunimit e partneritetit me komunitetin  dhe rritjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe pronës, ofrimin e sigurisë dhe shërbim sa më  profesional.

Të ngjashme