Abdixhiku: Prishtina është me LDK-në, Prishtina është me Përparim Ramën

Prishtinë | 25 Sht 2025 | 19:42 | Nga Drita Dërmaku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një tubim zgjedhor të mbajtur sonte në kryeqytet, u bëri thirrje qytetarëve të mobilizohen për zgjedhjet e 12 tetorit, duke kërkuar mbështetje për kandidatin e kësaj partie, Përparim Rama, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku e nisi fjalimin me një mesazh besimi në fitoren e LDK-së.

“Sepse Prishtina është e kaltër. Prishtina është me LDK-në. Prishtina është me Përparim Ramën.
Dhe kur Prishtina është me ne, është gjithë Kosova me ne.
Qyteti ynë Prishtina ka shpirt vibrant. Kryeqyteti është qyteti i energjisë dhe i rinisë, i gjallërisë dhe i shpresës, është vendi ku përplasen idetë më të mëdha e ku lindin ëndrrat më të guximshme”, tha ai.

Kreu i LDK-së foli edhe për katërvjeçarin e qeverisjes së Përparim Ramës, të cilin e quajti “arkitekt të një qyteti modern”.

“Katër vitet e fundit e kanë dëshmuar se Përparim Rama nuk ishte vetëm kryetar i Prishtinës, por arkitekti i një qyteti që filloi të marrë frymë ndryshe, një qyteti që ngrihet mbi të kaluarën e mbetur peng”, u shpreh Abdixhiku.

Ai veçoi disa prej projekteve kryesore të kësaj qeverisjeje, duke përmendur mësimin tërëditor si projektin më të madh dhe krenarinë e gjithë Kosovës.

“Për herë të parë, fëmijët e Prishtinës e kanë të mundur të kalojnë ditën në shkolla me kushte moderne, me mbështetje pedagogjike e teknologji bashkëkohore. Ky nuk është vetëm një investim në arsim, por në të ardhmen e qytetit tonë”, tha ai.

Ndër projektet e tjera, Abdixhiku përmendi Rrugën A dhe Unazën e Brendshme, që sipas tij janë frymëmarrja e qytetit.

“Vetëm me LDK-në përfundojnë projektet e mëdha. Me LDK-në nis e përfundon Rruga A, me LDK-në nis e përfundon rruga B, rruga C e rruga D – e i gjithë alfabeti – sepse LDK është parti e ideve të mëdha”, tha ai.

Në fjalimin e tij, kreu i LDK-së akuzoi qeverinë qendrore për pengimin e projekteve në kryeqytet.

“Përballë nesh kemi pasur një qeveri që nuk ka dashur zhvillim për kryeqytetin, por e ka parë atë si kundërshtar. Ata kanë penguar çdo projekt, kanë vonuar çdo procedurë dhe kanë sabotuar çdo iniciativë”, tha ai.

Në fund, Abdixhiku bëri thirrje për mobilizim të gjerë deri në ditën e zgjedhjeve.

“Lagje për lagje, rrugë për rrugë, shtëpi për shtëpi – më 12 tetor le ta japim votën për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për Përparim Ramën, për një Prishtinë të denjë, moderne dhe të shpresës. Sepse Prishtina është qyteti i njerëzve, jo i interesave të ngushta”, shtoi ai.

Të ngjashme