Skandal në Klinë: Në sy të policëve djali i policit dyshohet se gjuajti me armë, plumbi qorr plagos një qytetar

Prishtinë | 04 Tet 2025 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

KALLXO.com ka zbuluar një rast skandaloz në Klinë, ku djali i një zyrtari policor dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri nga lokali i të atit. 

Nga predhat qorre të  shkrepura policia ka ngritur dyshime se një qytetarë  është plagosur disa dhjetëra metra nga vendi i ngjarjes. Në momentin kur është gjuajtur me armë tre polic dyshohet se ishin në kafe ndërsa, të njëjtit nuk reaguan për të arrestuar personi që qëlloj në ajër. 

Më 19 shtator 2025, një person u paraqit në polici dhe raportoi se derisa ndodhej në oborrin e xhaxhait të tij, ishte goditur lehtë nga një plumb qorr, duke pësuar një gërvishtje mbi vetullën e djathtë. Hetimet e mëvonshme ngritën dyshime se plumbi kishte ardhur nga lokali “Kuzhina e Djalit” në Klinë, në pronësi të zyrtarit policor Mon Morina.

Sipas informacioneve që ka siguruar KALLXO.com, armën e ka përdorur djali i Morinës, i cili tashmë po hetohet për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Bashkë me të, dyshohet se ka shtënë edhe djali i një politikani.

Tutje KALLXO.com, mëson se në mesin e personave ku u gjuajt me armë kishte edhe zyrtarë policor, të paktën tre prej tyre ka arritur që të identifikoj edhe KALLXO.com.

Në momentin e të shtënave, në lokal ishin të pranishëm edhe disa zyrtarë të Policisë së Kosovës, mes tyre Mon Morina si pronar, si dhe zyrtarët policorë Endrit Raci e Ali Kamberi.

KALLXO.com e ka konfirmuar me Prokurorinë e Pejës edhe inicimin e procedurave penale për të paktën dy persona në lidhje me veprën e shkaktimit të rrezikut. 

Prokurori i rastit, Dorjan Juniku në Pejë, tashmë ka udhëzuar Drejtorinë e Hetimeve brenda Inspektoratit Policor të Kosovës, që të trajtoj rastin ndonëse KALLXO.com mëson se në natën kritike ndonëse ishte informacioni se rasti ka ndodhur në një lokal në të cilin kishte edhe zyrtarë policor, IPK nuk ishte njoftuar. 

“Me të pranuar informacionin kam urdhëruar hetuesit nga sektori i hetimeve në Klinë që të fillojnë hetimet dhe të zbardhin rastin ashtu që pas dy ditësh është arritur që të identifikohet restorani nga kanë ardhur të shtënat me armë e më pas edhe personi i cili kishte shtënë”- thuhet në përgjigjen e prokurorit Juniku për KALLXO.com. 

Tutje prokurori konfirmon edhe faktin se i dyshuari që gjuajti me armë zjarri është konfirmuar se është djali i zyrtarit policor Mon Morina. 

“Pas shikimit të parë të kamerave është identifikuar personi që ka shtënë e që është djali i pronarit të lokalit që është zyrtar policor e më pas dyshohet se në lokal në kohën e të shtënave ishin edhe tre zyrtarë tjerë policorë”- thuhet në përgjigje. 

Për shkak të dyshimeve të përfshirjes në rast edhe të zyrtarëve policor që ishin në ngjarje, tashmë Inspektorati Policor i Kosovës i autorizuar nga prokurori Juniku kanë  nisur hetimet për rolin dhe përgjegjësinë e tyre. 

“Kam autorizuar IPK-në që të bëjnë tërheqjen e DVR nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Pejë gjë që edhe e kanë bërë dhe jemi në pritje të gjetjeve zyrtare që më pas të veprohet tutje duke u bazuar në ligjin”- thotë Prokurori Juniku. 

Procedurat thonë se Inspektorati Policor i Kosovës në raste të tilla duhet të njoftohet përmes Policisë së Kosovës, drejtorisë së përcaktuar ku është regjistruar rasti në momentin e parë që mësohet se ka përfshirje të zyrtarëve policor. 

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga IPK për ngjarjen e që të njëjtit kanë konfirmuar se janë duke trajtuar rastin që ka ndodhur në lokalin “Kuzhina e Djalit” në Klinë, pronë e zyrtarit policor Mon Morinës.

“Kemi kontaktuar me prokurorin e shtetit, me autorizim të prokurorit hetueist e IPK-së kanë siguruar dhe janë duke analizuar pamjet dhe kamerat e sigurisë. Aktualisht jemi në fazën e analizimit të materialeve të siguruara me qëllim të identifikimit të të gjithë zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë qenë të pranishëm”- thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Të njëjtit kanë potencuar edhe se pas analizimit të pamjeve dhe veprimeve të zyetarëve policor për gjithsecilin do të ndërmerren masat e nevojshme ligjore.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna edhe nga Policia në Pejë e Klinë në lidhje me rastin. Deri në publikimin e këtij hulumtimi, Policia në Pejë e edhe komandanti i policisë në Klinë nuk kanë ofruar përgjigje në lidhje me ngjarjen e regjistruar.

Tutje KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga policët që ishin në vendin e ngjarjes. Ekipi i KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Endrit Raci njëri nga policët që është identifikuar se ishte në lokal në kohën kur ishin gjuajtur të shtënat me armë por as ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. 

Të ngjashme