Përfaqësuesja e Kosovës do të ketë punë të vështirë sonte nga ora 20:45 në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Vlera e përfaqësueses sllovene është dukshëm më të lartë.
Sipas “transfermarkt”, vlera e lojtarëve të Suedisë është 162 milionë euro, në krahasim me 54 milionë euro sa vlejnë gjithë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës.
Dallimin e bën sulmuesi i rrezikshëm i sllovenëve, Benjamin Sheshko, që vlerësohet 70 milionë euro.
Lojtari më i shtrenjtë te Kosova është sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, që vlerësohet 25 milionë euro.
Futbollistët e Kosovës kanë pasur rritje të madhe së fundmi në treg.
Tre lojtarët e Hoffenheimit, Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani, kushtojnë 30 milionë euro. Vlera e Hajdarit është 12 milionë euro, e Avdullahut dhjetë dhe e Asllanit tetë milionë euro.
Prej lojtarëve të shtrenjtë të Kosovës janë edhe sulmuesi i Spartës së Pragës, Albion Rrahmani me tetë milionë euro dhe portieri i Sassuolos, Arijanet Muriq, që ka vlerën 7.5 milionë euro në treg.
Por, vlera në treg nuk është tregues se cilët janë lojtarët më të rrezikshëm te ndonjë përfaqësuese.
Vedat Muriqi, sulmuesi më i rrezikshëm i Kosovës që luan te Mallorca, vlerën në “transfermarkt” e ka 5 milionë euro. Megjithatë, Muriqi i prin listës së golashënuesve te Kosova me 32 gola në 62 paraqitje.
Kosova synon fitore për të mbetur në garë
54 min. më parë / 10 tet 2025 17:31
kosova
Kosova synon tjetër paraqitje mbresëlënëse, si në fitoren 2:0 ndaj Suedisë, për ta bërë hapin e madh drejt Botërorit 2026.
“Dardanët” nga ora 20:45 luajnë përballë Sllovenisë, në ndeshjen që i takon Grupit B të kualifikimeve.
Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri”, që do të jetë plot me shikues.
Në shtator, Kosova u mposht nga Zvicra në Basel me rezultatin 4:0, ndërsa fitoi ndaj suedezëve në Prishtinë.
Sllovenët barazuan me Suedinë 2:2 në ndeshjen e parë, dhe u mposhtën 3:0 nga Zvicra.
Kosova këtë vit ka shënuar rritjen më të madhe. Është e 91-ta në ranglistën e FIFA-s, derisa është promovuar edhe në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” e kanë vetëm një humbje në fushën e lojës në 11 ndeshjet e fundit. I kanë shënuar 26 gola.
Humbja tjetër, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ishte ajo ndaj Rumanisë me rezultatin zyrtar, 3:0.
Fitorja e radhës për lojtarët e udhëhequr nga Franco Foda, do të bënte që Kosova të hynte seriozisht në garë për Botërorin që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Kosova ka mungesa të shumta, por Foda ka theksuar se ekipi është gati.