Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është urdhëruar që të shkojë në një burg në Paris javën e ardhshme, pasi një gjykatë muajin e kaluar e dënoi me pesë vjet burgim për konspiracion kriminal rreth një skeme për të siguruar fonde për fushatën zgjedhore nga regjimi i ish-diktatorit të ndjerë libian, Muammar Gaddafi.
Sarkozi, i cili ka shërbyer si president i Francës nga viti 2007 deri më 2012, u ftua që të takohej me prokurorët shtetërorë të hënën. Ata i thanë se duhej të paraqitej te hyrja e burgut “La Sante” në jug të Parisit më 21 tetor që ta fillonte vuajtjen e dënimit, shkruan gazeta “The Guardian”.
70-vjeçari do të jetë udhëheqësi i parë francez pas Luftës së Dytë Botërore dhe ish-kreu i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që shkon në burg. Ai tashmë është bërë ish-presidenti i parë francez që është detyruar të vendoste një pajisje elektronike në trup për përcjelljen e vendndodhjes, pasi ishte dënuar në një rast tjetër për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit për përpjekje ilegale që të siguroheshin favore nga një gjykatës.
Ish-presidenti francez ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe e ka apeluar vendimin. Një proces i ri gjyqësor pritet pas rreth gjashtë muajve.
Raportohet se Sarkozy priti 100 miq e ish-bashkëpunëtorë në Paris javën e kaluar në një ndejë lamtumire para se të shkojë në burg. Gazeta “Le Figaro” raportoi se ai u kishte thënë mysafirëve se ishte i pafajshëm dhe se nuk do të duhej të shpallej asnjëherë fajtor.
Duke folur për burgun, raportohet se ai ka thënë: “Nuk do të kërkoj avantazhe.”
Pritet që ish-presidenti ta ketë qelinë e vet individuale në burg dhe të ketë të drejtë për një orë ushtrime në ditë dhe tri vizita në javë.