Sot, më 15 tetor 2025, hap dyert Frankfurter Buchmesse, panairi më i madh i librit në botë, që mbledh çdo vit mijëra profesionistë të industrisë së librit dhe qindra mijëra vizitorë nga mbarë bota.
Kosova, ashtu si çdo vit, është pjesë e këtij eventi prestigjioz, me një stendë kolektive në Sallën 4.1, Stenda C96, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përcjellë KultPlus.
Në këtë stendë janë ekspozuar qindra libra nga dhjetëra shtëpi botuese kosovare, duke e kthyer atë në një hapësirë përfaqësuese të letërsisë shqipe në tërësi, një traditë tashmë dekadëshe në panairin më të rëndësishëm të librit në botë.
Në programin e stendës së Kosovës janë përfshirë emra të njohur si:
Shqipe Malushi, Bashkim Hoxha, Abdullah Zeneli, Aziz Mustafa, Bekim Blaku, Brahim Avdyli dhe Marigona Kelmendi, ndërsa aktivitetet do të moderohen nga Seveme Fetiqi dhe Loreta Schillock.
Autorët do të zhvillojnë lexime, intervista dhe takime me lexuesit, duke krijuar hapësira të reja për dialog kulturor dhe promovim të krijimtarisë shqipe.
Programi ndërkombëtar dhe të ftuarit e nderit
Edicioni i sivjetshëm zhvillohet nga 15 deri më 19 tetor 2025, me një program të pasur letrar e profesional. Ndër të ftuarit ndërkombëtarë janë emra si Sebastian Fitzek, Eckart von Hirschhausen, Otto Waalkes, Elke Heidenreich, Paul Maar, Rea Garvey dhe SenLinYu.
Filipinet janë i ftuari special i këtij viti, me temën “Fantasie beseelt die Luft” (“Të fantazuarit sjell frymë”), që vjen si homazh ndaj figurës së shkrimtarit José Rizal. Pavioni i tyre do të përfshijë materiale nga bambu dhe fibra ananasi, si dhe mbi 77 ngjarje kulturore.
Temat kryesore të panairit 2025
Në “Centre Stage” të Sallës 4.1 do të zhvillohen debate rreth Inteligjencës Artificiale, Lirisë së Shprehjes dhe Autoritarizmit, nën titullin “Frankfurt Calling – Perspectives on Culture and Politics”.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe 200-vjetorit të alfabetit Braille, që do të shënohet me një ekspozitë të dedikuar në të njëjtën sallë ku ndodhet edhe stenda e Kosovës.