Ekspertët e Agjencisë për Forenzikë kalojnë me sukses testin ndërkombëtar në fushën e daktiloskopisë

Prishtinë | 16 Tet 2025 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Kosovës për Forenzikë njofton se ekspertët Flurim Sahitaj dhe Avni Dragobuzhda nga Divizioni i Daktiloskopisë, kanë kaluar me sukses testin profesional Latent Print Processing – Nonporous Surfaces 2025-5193.

Në njoftim thuhet se ky test përfaqëson një standard të avancuar ndërkombëtar në fushën e përpunimit dhe identifikimit të gjurmëve të gishtërinjve në sipërfaqe jo poroze, duke vlerësuar aftësitë teknike, saktësinë dhe profesionalizmin e ekspertëve në procesin e analizës forenzike.

“Përfundimi me sukses i këtij testi dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes profesionale të ekspertëve të AKF-së dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Agjencisë për ngritje të kapaciteteve dhe përmbushje të standardeve ndërkombëtare në fushën e shkencave forenzike. Agjencia e Kosovës për Forenzikë do të vazhdojë të investojë në zhvillimin profesional të stafit, në mënyrë që të garantojë cilësi, saktësi dhe besueshmëri në çdo proces ekspertize”, përfundon njoftimi i Agjencisë.

Të ngjashme