Njëri nga pesë anëtarët e Kuvendit Komunal të Zgjedhjeve në Ferizaj që u lëndua në aksidentin që ndodhi në rrugën Slivovë-Ferizaj, ka përfunduar me sukses operimin. Kështu ka bërë të ditur, Blerton Jakupi nga LDK në Ferizaj, teksa ka thënë e vazhdojnë lutjet për njërin nga të lënduarit i cili është në gjendje të rëndë.
“Lajme më të mira nga miqtë tanë të Komisionit Komunal Zgjedhor të Ferizajit. Shaban Rexha ka përfunduar me sukses operimin dhe ndodhet nën kujdes mjekësor. Burhani Salihu dhe Nexhmedini Idrizi kanë pësuar fraktura të brinjëve, por janë jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa Meritani është liruar nga QKUK dhe po vazhdon rikuperimin në shtëpi. Lutjet tona të përzemërta vazhdojnë të jenë me Fetah Bytyqin, i cili është në gjendje më të rëndë. Zoti i forcoftë të gjithë dhe i ktheftë sa më shpejt shëndoshë pranë familjeve të tyre”, ka shkruar Jakupi.
Për rastin e aksidentit ka njoftuar edhe policia, ku tregoi se aksidenti ndodhi mes një veture dhe një autobusi.
“Me datën 17.10.2025 në ora 18:17 në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj Aksident trafiku me lëndime trupore ku në këtë aksident trafiku ishin të përfshira dy automjete: një veture dhe një autobus me targa vendore me shoferët M.SH.K. Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, te cilët pas trajtimit mjekësor në emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, njoftoi Policia.
Edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë dalë me komunikatë për media, duke thënë se pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton opinionin publik se të premten, në orën 18:17, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.