Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka thënë se përtej çfarëdo dallimi kanë lidhur koalicion me LDK-në, e për këtë ka theksuar se mori mbështetjen e liderit të VV-së, Albin Kurti. Ai nëpërmjet një shkrimi ka thënë edhe se bashkë me LDK-në kishin bërë edhe ndryshimin në 2017-ën.
“Bashkë për Vushtrrinë! Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në – Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti! Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025! Vushtrria ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës për t’ia kthyer qeverisjen qytetarit, qytetit zhvillimin, e qytetarëve mirëqenien pa dallim. Dua të falënderoj nga zemra strukturat e LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, në veçanti z. Tahiri, për gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet për t’u bërë bashkë për fitoren e madhe në Vushtrri! Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët në Vushtrri! Urime, na priftë e mbara! Zoti e bekoftë Vushtrrinë!”, ka shkruar Meholli.