Instituti Riinvest ka organizuar Forumin e Akterëve të Interesuar në kuadër të projektit POLICY ANSWERS, i cili mbështetet nga Komisioni Evropian dhe synon përparimin e kërkimit dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor, raporton Ekonomia Online,
Udhëheqës i Projektit “POLICY ANSWERS” për Kosovën, Muhamet Mustafa theksoi se projekti, që zgjat deri në prill 2026, fokusohet në krijimin e politikave efektive për përfshirje më të madhe të rajonit në programet evropiane.
“Projekti është një projekt i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe ky projekt ka pasur përqendrimin për të krijuar politika të cilat avancojnë kërkimin dhe inovacionin në Ballkanin Perëndimor dhe e rrisin vendet e Ballkanit Perëndimor në programet kornizë të Komisionit Evropian të cilat mbështesin kërkimet dhe inovacionet. Ky projekt është zhvilluar nga 1 marsi 2022 deri më 30 prill 2026. Pakot e punës kanë të bëjnë me një dialog politik që nëpërmjet këtij projekti organizohen takime dhe ngjarje të cilat kanë të bëjnë me ministritë në Ballkanin Perëndimor, është një takim vjetor dhe shumë ngjarje të tjera me nivelet më të ulëta në krahasim me ministrat ku trajtohen problemet më aktuale. Pakoja e dytë ka të bëjë me gjëra strategjike që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen se si janë të ndërlidhur akterët e ndryshëm dhe monitorimin lidhur me zhvillimet; gjatë këtyre katër viteve gjithmonë janë përditësuar profilet e secilit vend të Ballkanit sa i përket pjesëmarrjes edhe progresit që ka bërë. Aktualizimi i strategjisë dhe zhvillimit të kërkimit dhe inovacioneve të Ballkanit Perëndimor edhe disa që kanë të bëjnë me çështje që lidhen këtu. Pakoja e tretë ka të bëjë me programe për ndërtimin e kapacitetit të secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, pakoja e katërt përqendrohet në kërkimet dhe inovacionet e këtyre tri prioriteteve tematike të Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me transformimin digjital, transformimin e gjelbër dhe shoqërinë e shëndoshë. Pakoja e pestë ka të bëjë me aktivitete pilotë, grante të vogla kërkimore në industri si dhe disa investime infrastrukturore dhe një akademi online për inovacione”, ka theksuar Hashani.
Në forum u prezantuan edhe dy raporte të shkurtër (Policy Briefs). Dr. Isuf Berisha paraqiti sfidat e ekosistemit të kërkimit dhe inovacionit në Kosovë, përfshirë mungesën e financimit dhe kapaciteteve institucionale.
“Do të prezantojmë një polici për zhvillimet në sektorin e kërkimeve dhe inovacioneve vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2023-2025. Kjo periudhë është marrë për raportim nga koha kur është miratuar strategjia e fundit e sektorit, përkatësisht plani ndërkombëtar i shkencës. Në sektorin e kërkimeve dhe inovacioneve, Kosova ka probleme në të gjitha aspektet e zhvillimit të kësaj fushe. Kryesoret janë financimi i ulët, kapacitetet e pamjaftueshme të implementimit të agjencive implementuese të strategjisë kombëtare, korniza ligjore; lidhur me këtë janë edhe problemet me implementimin kombëtar të shkencës, problemet te bartësit kryesorë të kërkimeve dhe inovacioneve të cilat janë universitetet publike, performanca e ulët, sukseset modeste ose të pakënaqshme në fushën e ndërkombëtarizimit, përkatësisht të bashkëpunimit ndërkombëtar”, shtoi Berisha.
Ndërsa, Benet Maloku foli për sfidat në sektorin e shëndetësisë, duke veçuar nivelin e ulët të financimit dhe mungesën e digjitalizimit, krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Kemi bërë një raport të shkurtër në lidhje me financimin dhe digjitalizimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë. Ky raport i shkurtër është bazuar në raportin e kaluar i cili ka vlerësuar çështjen e financimit të shëndetësisë. Pjesëmarrja e ulët e shëndetësisë në buxhet dhe në bruto produktin vendor vazhdojnë të mbesin sfida. Përdorimi dhe shfrytëzimi i buxhetit të planifikuar prej institucioneve shëndetësore ishte jo i kënaqshëm, ngarkesa e lartë e shpenzimeve shëndetësore që mbulohen nga buxheti familjar dhe vonesa e funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore por edhe të sistemit informativ shëndetësor. Ky draft-raport i shkurtër është mbështetur në periudhën 2024-2025. Raporti ka evidentuar gjithashtu veprimet e ndërmarra krahas rekomandimeve që janë bërë nga raporti i kaluar. Çështjet që mbeten janë financimi jo i duhur në shkallën jo të duhur të shëndetësisë në Kosovë. Kjo mbetet ende nën 50 për qind të mesatares së Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e BE-së janë që mesatarja në vendet e BE-së në vitin 2023 është 7.3 për qind e bruto produktit vendor të tyre, ndërsa në Ballkanin Perëndimor, sipas të dhënave të fundit nga Banka Botërore, ishte 5.95 për qind”, theksoi Maloku.

