Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.F., i cili ngarkohet për “Vrasje të rëndë”. Viktima 37-vjeçar ishte raportuar fillimisht i zhdukur.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 23 janar 2025 në fshatin Manastirc të Ferizajt, pasi tani i akuzuari L.F., një ditë më parë (22 janar 2025) kishte qenë në një villë me tani të ndjerin B.V., të cilin e kishte marrë tek shtëpia me një person tjetër. Aty thuhet se qëndruan deri të nesërmen pasdite dhe më pas në këmbë e kishin vazhduar rrugën për në shtëpi, të cilën e kishin devijuar në drejtim të Manastircit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 23 janar 2025, në intervalin kohor prej orës 18:30 – 20:06 minuta, në fshatin Pleshinë e Ulët, në pjesën malore në afërsi të rrugës “Rilindja” të fshatit Manastirc- komuna Ferizaj, i pandehuri L.F., me dashje dhe në mënyrë dinake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., në atë mënyrë që fillimisht një ditë para ngjarjes kritike, më 22.01.2025, së bashku me të ndjerin kishin vendosur që të shkojnë në një villë, në malet e fshatit Burrnik- komuna Ferizaj, ku të njëjtit edhe më parë kishin qenë atje së bashku, ashtu që pasi furnizohen me ushqim, rreth orës 16:00, tani i pandehuri me një person të paidentifikuar, me automjetin e tipit kamionetë, ngjyrë të bardhë shkojnë e marrin viktimën tek shtëpia e tij, pastaj me kamionetë shkojnë deri tek vendi i quajtur “Te Podi”, rrugën deri tek villa e vazhdojnë në këmbë nëpër mal, ku aty qëndrojnë deri të nesërmen pasdite dhe pastaj po nëpër malet e fsh. Pleshinë, në këmbë e vazhdojnë rrugën për tu kthyer në shtëpi, ku për shkaqe të panjohura devijojnë rrugën dhe vazhdojnë në drejtim të rrugës që shpie për në fshatin Manastirc, po ashtu nëpër mal”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., për motive të panjohura. Dhe se vrasja është kryer me armën që i ndjeri e kishte me vete. Më pas, thuhet se trupin e viktimës e kishte mbulur me dhe, drunj e dushk.
“…me të arritur në afërsi të fshatit në fjalë, për motive të panjohura, i pandehuri e privon nga jeta tani të ndjerin duke e qëlluar në kokë me armën që i ndjeri e kishte me vete dhe atë pushkë gjysëm automatike – kallash, ku i shkakton plagë vdekjeprurëse, siç është konstatuar nga raporti i Autopsisë, ndërkaq pas privimit nga jeta trupin e viktimës e mbulon me dhe, drunjë e dushkë, kurse më 05.02.2025 gjendet trupi i pajetë i të ndjerit nga disa qytetarë”, thuhet në njofitmin e Prokurorisë.
Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit”, njofton Prokuroria.