Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë vlerësuar si vazhdimësi të “luftës hibride” të Serbisë ndaj Kosovës incidentin e fundit në Leposaviq, ku dyshohet se një Millan Vukashinoviq është plagosur e është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës. Ata kanë paralajmëruar se mungesa e ndëshkimeve ndërkombëtare ndaj Serbisë po e inkurajon Beogradin për veprime të reja provokuese, raporton Ekonomia Online.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përballë protestave të vazhdueshme në Beograd dhe tubimeve të mëdha kundër regjimit të tij, po përpiqet ta shpërqendrojë vëmendjen përmes tensioneve në Kosovë.
Kjo madje është edhe një tregues për hakmarrje ndaj atyre që janë kundër politikave tëListës Serbe dhe regjimit të Serbisë.
“Një situatë kur Vuçiqi është i përballur me protesta të vazhdueshme në Beograd, ai tani duhet ta shpërqendrojë vëmendjen, kur këtë të shtunë pritet një tubim i madh në Novi Sad kundër regjimit të Vuçiqit. Ai po shkakton luftën hibride në Kosovë. Më herët ka kidnapuar zyrtarë policorë duke ndërhyrë në territorin e Kosovës e tani edhe qytetarin kosovar të komunitetit serb, Milan Vukashinoviq. Kjo është një lloj hakmarrjeje për gjithë ata që nuk janë më nën ndikimin e Listës Serbe dhe regjimit të Beogradit, kjo është një vazhdimësi e luftës hibride të Serbisë e të Vuçiqit”, tha ai.
Ibishi theksoi se mungesa e reagimit ndërkombëtar ndaj veprimeve të tilla po krijon precedent të rrezikshëm.
“Ndodhën disa raste dhe Serbia nuk pësoi asnjë ndëshkim as nga Bashkimi Evropian as nga komuniteti ndërkombëtar, nuk pati ndonjë sanksion as asgjë. Normal, krimi që nuk ndëshkohet ka tentativë që të përsëritet dhe këto raste po përsëriten në vazhdimësi. Kjo duhet të marrë fund, vetë ky rast në vete është i rëndë sepse ka të bëjë edhe me shkeljen e sovranitetit. Përflitet për persona të uniformuar, pa shenja, por realiteti është që janë pjesëtarë të sigurisë së Serbisë që hynë në mënyrë të paautorizuar në territorin e Kosovës”, tha Ibishi.
Sipas tij, mosndëshkimi i autorëve të rasteve të ngjashme si ai i grupit të kryeterroristit Milan Radoiçiqit mund të çojë në përshkallëzim të situatës.
“Mosdënimi i këtyre veprave, mosndërmarrja e masave sidomos për grupin terrorist në krye me Radoiçiqin, mos-ekstradimi në Kosovë dhe mosgjykimi i tyre tregon se ata kanë mundësi që prapë mund të hyjnë në Kosovë dhe të bëjnë vepra të tilla. Është momenti i fundit që autoritetet e Kosovës të veprojnë me kërkesa më këmbëngulëse. Pasi në një situatë hipotetike, nesër nëse eventualisht bëhet edhe një ndërhyrje e tillë, mund të fillojë një konflikt, ngaqë detyra e autoriteteve, si të KFOR-it ashtu edhe të Policisë së Kosovës, është të veprojnë në mbrojtje të qytetarëve dhe të sovranitetit të territorit të Kosovës”, tha ai.
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha se Serbia po e konkretizon më tej doktrinën e veprimit në Kosovë përmes incidenteve të tilla.
“Tani veçse e konkretizojmë më tutje veprimet dhe doktrinën të cilën e përdor Serbia. A mund të kemi veprime të ngjashme, veprime më të rënda? Kjo padyshim nuk mund të mënjanohet, nuk mund të themi që nuk mund të ndodhë, por potenciali tani më ekziston, potenciali është treguar në formën e rastit të tillë. Në të ardhmen ne do të duhet që të jemi vigjilentë, të vëmendshëm, por njëkohësisht edhe pjesëtarët e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës të brezit kufitar duhet t’i kenë sytë hapur, sepse veprimet e tilla mund t’i kanosin edhe atyre. Prandaj, mekanizmat ndërkombëtarë do të duhet që të ndërhyjnë dhe të krijojnë tampon zonën të cilën e ka larguar pala serbe dhe kështu të mos lejohet fare që të ketë incidente të tilla që të afrohen pjesëtarë të uniformuar në pikën zero të Kosovës”, tha Shala.
Ai shtoi se lidhjet e drejtpërdrejta të grupeve kriminale me strukturat shtetërore serbe dëshmojnë për një plan të qëllimshëm.
“Mosmarrja e sanksioneve adekuate dhe mëshirimi i krimit të organizuar, krimit ndërkombëtar të trafikimit të drogës, krimeve të ndryshme me qeverinë zyrtare të Beogradit, pa dyshim që mëshiron veprimet që pastaj arsyetohen në terren. Ju e dini që grupi i Milan Radoiçiqit ishin të trajnuar dhe kanë shfrytëzuar asetet ushtarake të shtetit të Serbisë dhe asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk ka pasur ndonjë veprim konkret nga ana e shtetit të Serbisë në drejtim të udhëheqësve apo zinxhirit komandues pse kanë lejuar një gjë të tillë. Kjo dëshmon që ekziston një plan konkret, kjo dëshmon që ekziston një mbështetje konkrete të palës serbe mbi këto grupe që kanë këtë qëllim dhe këtë cenim të përdorin strategjinë dhe doktrinën e veprimit si ka ndodhur Rusia në drejtim të Krimesë”, tha ai.
Institucionet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial, pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.
Sipas Policisë, incidenti dyshohet të ketë ndodhur brenda territorit të Kosovës, në hapësirën e njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit. Policia ka njoftuar se është në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili ka konfirmuar se është në dijeni për incidentin dhe se situata në vijën kufitare është e qetë.
Në komunikatën e Policisë u tha se “disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit”.
Nga misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) kishin thënë se janë në dijeni rreth njoftimit të Policisë së Kosovës se një serb i Kosovës dyshohet të jetë plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës, mirëpo situata e sigurisë nëpikat kuftare është e qetë.
Abokati serbe Ivan Niniq pati thënë se ai gjendet në Qendrën Klinike të Nishit dhe se atij i është hequr njëra veshkë si dhe përhrua e mushkërive.
Për rastin e tmerrshëm ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka thënë se bota demokratike duhet të reagojë e t’i ndalë këto sulme të Serbisë.
“Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”, ka thënë ajo.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Millan Vukashinoviq është plagosur e rrëmbyer për shkak kundërshtimeve të plitikave dhe regjimit të preisdentit tëSerbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Është e qartë që fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet e veta që kanë për qëllim disiplinimin e serbëve dhe destabilizimin e Kosovës. Por, unë jam i bindur që me organet tona të sigurisë dhe inteligjencës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ajo do të dështojë në këto dy fronte”, tha Kurti gjatë një konference për media më 4 nëntor.
Sipas informatave nga avokati Ivan Niniq, Vukashinoviq është qëlluar në fshatin Jellakcë, është transportuar në qendrën shëndetësore në Prokuple, dhe më pas në Qendrën Klinike në Nish.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin kalim alternativ me Serbinë – kalime zyrtarisht të paregjistruara midis Serbisë dhe Kosovës – në fshatin Jellackë.
Millan Vukashinoviq ka punuar në Byronë Kosovare të Sigurimit që nga viti 2011.
Kujtojmë se më Vukashinoviq kishte deklaruar se serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pas presionit të Listës Serbe.
“Ata shpikën lloj-lloj historish për mua, më lidhën me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam vetëm këtu në Kosovë. E anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai.
Kur u pyet për sulmin nga një grup i armatosur serbësh në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – në shtator të vitit 2023, Vukashinoviq tha se “djemtë u shfrytëzuan. Tani, shumë prej tyre nuk mund të vijnë në shtëpitë e tyre”, pati thënë ai.

