Bisedimet e paqes midis Afganistanit dhe Pakistanit u ndërprenë, megjithëse një armëpushim vazhdon midis fqinjëve të Azisë Jugore, tha të shtunën një zëdhënës i talebanëve.
Zabihullah Mujahid tha se negociatat kishin dështuar për shkak të këmbënguljes së Islamabadit që Afganistani të marrë përgjegjësinë për sigurinë e brendshme të Pakistanit, një kërkesë që ai e përshkroi si përtej “kapacitetit” të Afganistanit.
Por, tha ai, “Armëpushimi që është vendosur nuk është shkelur nga ne deri më tani dhe do të vazhdojë të respektohet”.
Të premten, Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khaëaja Muhammad Asif, tha se bisedimet e paqes me Afganistanin në Stamboll, që synonin parandalimin e përplasjeve të reja kufitare, kishin dështuar, duke shtuar se armëpushimi do të zbatohej për sa kohë që nuk do të kishte sulme nga toka afgane.
Trupat afgane dhe pakistaneze shkëmbyen zjarr për pak kohë përgjatë kufirit të tyre të përbashkët të enjten, po atë ditë që bisedimet e paqes rifilluan në Stamboll.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u takua me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, në Baku të shtunën dhe tha se shpresonte që bisedimet “do të jepnin rezultate drejt stabilitetit të qëndrueshëm” dhe se Turqia do të vazhdonte të luante një rol, sipas një njoftimi nga zyra e tij, shkruan Reuters.