Organizata Human Rights Watch (HRW) ka deklaruar se largimi i detyruar i dhjetëra mijëra palestinezëve nga kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor të okupuar nga forcat izraelite më herët gjatë këtij viti përbën krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas një raporti prej 105 faqesh të publikuar nga organizata jofitimprurëse, rreth 32 mijë palestinezë u dëbuan nga forcat izraelite nga tre kampe në muajt janar dhe shkurt, ndërkohë që vëmendja ndërkombëtare ishte përqendruar në luftën e Izraelit në Gaza, dhe nuk u është lejuar të kthehen.
HRW tha se si pjesë e hulumtimit të saj, intervistoi 31 refugjatë palestinezë të zhvendosur nga kampet e Jeninit, Tulkaremit dhe Nur Shamsit. Organizata gjithashtu analizoi imazhe satelitore, urdhra për shembje nga ushtria izraelite, si dhe video dhe fotografi të verifikuara të operacioneve ushtarake izraelite.
Në përgjigje të raportit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) i thanë CNN-it se ushtria nisi atë që e quajti operacioni “Muri i Hekurt” në tre kampet dhjetë muaj më parë “për shkak të kërcënimeve të sigurisë që paraqesin ato dhe pranisë në rritje të elementëve terroristë brenda tyre.”
IDF tha se shkatërroi disa ndërtesa për të krijuar “rrugë të reja hyrjeje brenda kampeve.” Vendimi për shembjen e ndërtesave “u mor bazuar në nevojën operacionale, me kujdes dhe vetëm pasi u shqyrtuan opsione alternative për të arritur të njëjtin përparësi ushtarake.” IDF deklaroi gjithashtu se “shembjet u kryen në mënyrë të ligjshme, bazuar në nevojën ushtarake dhe me proporcionalitetin e kërkuar” dhe se “terrorizmi në Jude dhe Samari ka rënë me 70%” që nga fillimi i operacionit, duke përdorur termin biblik për Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, raporti i HRW-së pretendon se Izraeli sulmoi kampin e refugjatëve në Jenin më 21 janar me helikopterë Apache, dronë, buldozerë dhe automjete të blinduara me trupa tokësore, për të dëbuar palestinezët që jetonin aty. Operacionet e ngjashme u kryen në Tulkarem më 27 janar dhe në Nur Shams më 9 shkurt.
Ushtarët izraelitë “po bërtisnin dhe hidhnin gjëra kudo… Ishte si një skenë filmi, disa kishin maska dhe mbanin lloj-lloj armësh,” tha një grua 54-vjeçare për HRW.
Raporti zbuloi se palestinezëve të zhvendosur nuk u është lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, duke shtuar madje se ushtarët izraelitë qëlluan mbi ata që përpiqeshin të hynin përsëri. Vetëm disa janë lejuar të marrin sendet e tyre personale, ndërsa analiza e HRW-së me imazhe satelitore gjashtë muaj më vonë tregoi se më shumë se 850 shtëpi dhe ndërtesa të tjera janë dëmtuar ose shkatërruar nëpër kampe.
Ushtria izraelite nuk ofroi asnjë strehim apo ndihmë humanitare për banorët e zhvendosur, sipas raportit. Në vend të kësaj, njerëzit u lanë të kujdeseshin vetë, duke kërkuar strehim kudo që mundnin, përfshirë në shtëpitë e të afërmve apo miqve, xhami apo organizata bamirësie lokale.