Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka prezantuar një iniciativë të re kombëtare që synon të përdorë inteligjencën artificiale për të përshpejtuar zbulimet shkencore.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që krijon “Genesis Mission”, një program që bashkon qasjen e administratës në zhvillimin e AI, investimeve në infrastrukturë dhe bashkëpunimit mes shtetit dhe sektorit privat.
Sipas urdhrit, Sekretari i Energjisë, Chris Wright, do të udhëheqë bashkimin e shkencëtarëve dhe teknologjive të 17 laboratorëve kombëtarë të SHBA-së në një sistem të vetëm bashkëpunues kërkimi. Programi synon integrimin e superkompjuterëve dhe burimeve të të dhënave të vendit në një platformë të mbyllur eksperimentimi për AI.
Shtëpia e Bardhë e krahasoi projektin me programin historik “Apollo”, duke theksuar se fushat prioritare përfshijnë energjinë bërthamore , prodhimin e çipeve, materialet kritike dhe eksplorimin hapësinor.
Michael Kratsios, këshilltari kryesor shkencor i Shtëpisë së Bardhë, e quajti nismën “revolucionare”, duke thënë se ajo kombinon të dhëna shkencore me teknologjitë më të avancuara të AI për të sjellë përparime në mjekësi, energji dhe shkencën e materialeve.
Eksperti i AI në Universitetin e Kalifornisë, Benjamin H. Bratton, e përshëndeti nismën, duke thënë se qasja e gjerë dhe e hapur ndaj AI është më e rëndësishme se kush e udhëheq atë. Sipas tij, kufizimet e rrepta në SHBA dhe BE shpesh vijnë nga interesa kulturore dhe politike që duan të ruajnë pozitat e tyre, ndërsa ata që janë të përjashtuar kanë më shumë për të fituar nga qasja e zgjeruar.