Tryeza e KE-së: Kryetari Rexhepi bënë thirrje për zbatimin e vendimeve gjyqësore – si garancë e shtetit ligjor

Prishtinë | 25 Nën 2025 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Me ftesë të Këshillit të Evropës, zyra në Prishtinë, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi po merr pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Zbatimi i vendimeve gjyqësore: Praktikat e mira dhe sfidat në praktikë”, e organizuar në kuadër të projektit “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në zbatimin dhe shpërndarjen e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut – Faza II”.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve, kryetari Rexhepi vuri në pah se e drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm përbën një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës. “Kjo e drejtë nuk përfundon me shpalljen e aktgjykimit, por shtrihet edhe në fazën e zbatimit të tij, përkatësisht në përmbarimin e vendimit gjyqësor”.

Se moszbatimi i një vendimi përfundimtar gjyqësor mund të konsiderohet si shkelje substanciale e Nenit 6, pasi i mohon palës fituese frytin e procesit gjyqësor dhe e redukton të drejtën për drejtësi në një garanci formale dhe të papërdorshme, kryetari Rexhepi e ka ilustruar me shembuj nga praktika e GJEDNJ-së.

Ai konfirmoi para të pranishmëve hapat pozitiv të Kosovës, duke nënvizuar se “sot kemi një praktikë gjyqësore më të unifikuar, transparencë më të madhe në publikimin e vendimeve, dhe një sistem të përmbarimit më funksional, ku përmbaruesit privat kanë luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e efikasitetit. Po ashtu, analizat e vendimeve, trajnimet profesionale dhe koordinimi ndërinstitucional tregojnë se gjyqësori ka vizion dhe kapacitet për reforma”. Por, renditi edhe sfidat, si vonesat e pajustifikueshme në ekzekutimin e vendimeve civile, administrative dhe penale dhe faktin se në disa raste, institucionet publike nuk i respektojnë vendimet gjyqësore, duke krijuar vështirësi për qytetarët, bizneset dhe për vetë shtetin.

“Kjo situatë nuk është thjesht problem teknik; ajo është sfidë e sundimit të ligjit”, theksoi kryetari Rexhepi duke shtuar se “nuk mund të kemi shtet të së drejtës nëse organet e shtetit nuk e zbatojnë ligjin. Nuk mund të kemi besim në drejtësi nëse qytetari sheh se vendimi i tij mbetet në letër. Zbatimi i vendimeve gjyqësore nuk është zgjedhje, por detyrim kushtetues dhe ligjor”.

Mos zbatimi i vendimeve gjyqësore por edhe mospërfillja e praktikave të unifikuara nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, përveç që krijon pasiguri dhe cenon rendin juridik, po ashtu krijon kosto financiare të panevojshme.

Ndaj, kryetari Rexhepi bëri thirrje që institucionet lokale dhe qendrore të qeverisjes të reflektojnë, dhe në të gjitha ato raste kur ka praktika të konfirmuara nga Gjykata Supreme, të shmangin procedurat gjyqësore të panevojshme, pasi në këtë mënyrë i kursejnë gjykatat nga trajtimi i çështjeve, të cilat mund të zgjidhen pa procedura gjyqësore, e kursejnë buxhetin e shtetit, shkurtojnë kohëzgjatjen e realizimit të drejtave nga qytetarët, por edhe eliminojnë përgjegjësinë e tyre për keq-menaxhim me buxhetin e shtetit”.

Lidhur me temën e diskutimit në këtë tryezë, folës janë edhe përfaqësues të  Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Apelit, Prokurorit të Shtetit, Odës së Avokatëve, Zyrës për Qeverisje të Mirë si dhe ekspertë të Këshillit të Evropës.

Të ngjashme