Mbahet tryezë diskutimi për dhunën ndaj viktimave të ndjeshme dhe zbatimin e Konventës së Stambollit

Prishtinë | 25 Nën 2025 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe me mbështetjen e misionit të OSBE-së, ka organizuar një tryezë me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ku është diskutuar për dhunën ndaj viktimave të ndjeshme – të moshuar, të mitur – si dhe për zbatimin e Konventës së Stambollit.

Në hapje të takimit, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Përmes bashkërendimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, kemi arritur procese të dukshme në efikasitetin dhe efektivitetin e trajtimit të këtyre rasteve,” deklaroi ajo.

Vuçetaj shprehu falënderim të veçantë për misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

“OSBE dhe EULEX mbeten partnerë të fuqishëm të sistemit të drejtësisë, në veçanti të Prokurorisë Themelore të Pejës,” u shpreh ajo.

Në tryezë, ku ishin të pranishëm rreth 40 zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, u prezantuan tri video sensibilizuese që synojnë të nxisin qytetarët të raportojnë rastet e dhunës, duke i orientuar ata drejt Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave.

Koordinatorja për dhunën në familje dhe zëvendës-kryeprokurorja, Arlinda Nallbani Gacaferri, theksoi rëndësinë e informimit të palëve në procedurë.

“Shpërndarja e broshurave është një hap praktik që u ndihmon viktimave të kuptojnë të drejtat e tyre dhe kontaktet ku mund të kërkojnë mbrojtje,” tha ajo.

Ndërkohë, përfaqësuesja e OSBE-së, Yulia Safronova, ritheksoi përkushtimin e organizatës për të mbështetur institucionet në trajtimin e dhunës në familje.

“Partneriteti ynë me institucionet e drejtësisë është kyç për të siguruar mbrojtje më të madhe për viktimat dhe për të parandaluar rastet e dhunës,” deklaroi Safronova.

Të ngjashme