Vjosa Osmani pret në takim Arbnor Spahiun, u bën thirrje qytetarëve të shmangin Serbinë gjatë udhëtimeve

Prishtinë | 25 Nën 2025 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pritur në takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiun, i cili është liruar nga paraburgimi në Serbi pas disa muajsh mbajtjeje.

“Dje prita në takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiun, i cili është liruar nga paraburgimi në Serbi pas disa muajsh mbajtjeje peng”, ka shkruar Osmani.

Ajo tha se Spahiut i ka uruar rikthim të lehtë në normalitet dhe gjithë të mirat pranë familjes.

“Arbnorit i urova gjithë të mirat pranë familjes së tij dhe një rikthim sa më të lehtë në normalitet”, theksoi presidentja.

Osmani u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të mos kalojnë nëpër Serbi, sidomos gjatë festave të fundvitit.

“Qytetarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës dhe që mund të udhëtojnë drejt vendit sidomos gjatë festave të fundvitit, u bëj thirrje të shmangin kalimin nëpër Serbi, pasi atje vazhdojnë të jenë në pushtet struktura që nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb”, shkroi ajo.

Të ngjashme