Rizvanolli rikthen çështjen e filterit dhe bojlerit

Prishtinë | 05 Dhj 2025 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa krenohej me investimin e Qeverisë të kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) përmendi çështjen e filterit e bojlerit, raporton Ekonomia Online.

“KEK-u sivjet e ka realizuar investimin më të madh në mbi 40 vite, qysh kur është ndërtuar Termocentrali ‘Kosova B’. KEK ka përfunduar modernizimin e turbinës së bllokut ‘B2’ të termocentralit ‘Kosova B’ dhe një sërë investimesh përcjellëse aty. Dhe si rezultat, kapaciteti i ‘B2’ është rritur për 35 MË, jetëgjatësia e këtij blloku është rritur për 20 vite dhe ndotja për megavat-orë të prodhuar është ulur për 12 për qind. Kjo kontratë rreth 56 milionë euro është nënshkruar në 2023. Ju përkujtoj që ky është investimi i parë serioz në KEK pas luftës, ndonëse aty janë investuar së paku me letra 1 miliard euro ose më shumë para qeverisjes sonë. Ndoshta keni parë që BE para disa ditësh ka konfirmuar se, pas plotësimit të kushteve teknike e ligjore, projekti për vendosjen e filtrave për pluhur e okside azoti do të fillojë në prill të vitit 2026. Nëse ju kujtohen diskutimet për bojler e filtër që u patën bërë meme në atë kohë, puna në bojler ka qenë parakusht, por besoj që pjesa që nuk e dini është që këtë parakusht KEK-u e ka përfunduar në 2023, pra delaminimin e bojlerëve, dhe kjo ka qenë një arsye që në 2023 ka pasur prodhim më të ulët nga KEK, sepse është dashur të ndalen nga tre muaj blloqet për t’i bërë këto intervenime”, deklaroi Rizvanolli.

Të ngjashme