Portieri i Sassuolos, Arijanet Muriq, ka shkaktuar penallti të shtunën në përballjen ndaj Fiorentinas.
Skuadra e Muriqit, Sassuolo, e mposhti Fiorentinan në shtëpi me rezultatin, 3:1, në kuadër të javës së 14-të të Serie A.
Muriq në minutën e nëntë bëri dalje të gabueshme në zonën e 16-metërshit dhe shkaktoi penallti duke e qëlluar në fytyrë, Fabiano Parisin.
Golin nga penalltia e që ishte edhe i epërsisë për Fiorentinan e realizoi Rolando Mandragora. Muriq u ndëshkua edhe me karton të verdhë.
Golat e fitores për vendësit i realizuan Cristian Volpato, Tarik Muharemoviq dhe Ismael Kone.
Për reprezentuesin e Kosovës, Muriqin, ishte paraqitja e 12-të këtë edicion në elitën e futbollit italian.
Sassuolo ka 20 pikë në mesin e tabelës. Fiorentina e zë vendin e fundit me vetëm gjashtë pikë.