E mbijetuara e masakrës së Pokleku, Elhame Muqolli u ka bërë thirrje institucioneve që i gjithë kompleksi në në këtë lagje të vihet nën mbrojtje institucionale. Ajo shkruan se Lagjja Muqolli përfaqëson një dëshmi të drejtpërdrejtë të krimeve të kryera dhe të sakrificës së të rënëve.
Shkrimi i plotë:
THIRRJE PUBLIKE PËR MBROJTJEN INSTITUCIONALE TË LAGJES MUQOLLI NË POKLEK
Pas shndërrimit në muze të shtëpisë së masakrës në Poklek ku u vranë 53 civilë, u bë një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së kujtesës historike dhe kolektive. Megjithatë, ky hap nuk duhet të mbetet i fundit. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që i gjithë kompleksi i Lagjes Muqolli të vihet nën mbrojtje të plotë institucionale, në përputhje me standardet ligjore dhe profesionale të trashëgimisë kulturore dhe historike.
Konkretisht, kjo thirrje i drejtohet:
• Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shpalljen e Lagjes Muqolli zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore;
• Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, për dokumentimin, inventarizimin dhe mbikëqyrjen profesionale të këtij vendi;
• Komunës së Drenasit, për përfshirjen e këtij kompleksi në planet zhvillimore dhe për garantimin e mirëmbajtjes së vazhdueshme;
• Ministrisë së Arsimit, për integrimin e këtij muzeu dhe të historisë së tij në programet edukative dhe vizitat shkollore.
Lagjja Muqolli përfaqëson një dëshmi të drejtpërdrejtë të krimeve të kryera dhe të sakrificës së të rënëve. Çdo element i saj — nga hapësirat fizike deri te konteksti historik — duhet të ruhet, të dokumentohet dhe të trajtohet me dinjitet. Mbrojtja e këtij vendi nuk është vetëm obligim ligjor, por edhe përgjegjësi morale dhe historike ndaj së vërtetës dhe ndaj brezave që vijnë.
