Kadri Kryeziu: Administrata Trump nuk ndryshon qasjen ndaj Kosovës

Prishtinë | 20 Dhj 2025 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se administrata e presidentit amerikan Donald Trump nuk ka synim të ndryshojë qasjen tradicionale të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe rajonit.

Në një postim në Facebook ai ka theksuar se nënshkrimi i menjëhershëm i Aktit të miratuar nga Kongresi nga ana e presidentit Trump është dëshmi e qartë e vazhdimësisë së kësaj politike.

Sipas Kryeziut, fakti që presidenti amerikan nuk e ka kontestuar Aktin, por e ka nënshkruar atë pa vonesë, tregon se mbështetja amerikane për Kosovën dhe stabilitetin rajonal mbetet e pandryshuar.

Ai ka shtuar se pas tërheqjes së dhëndrit të Trump nga projekti në Beograd, është krijuar një hapësirë e re strategjike që Kosova duhet ta shfrytëzojë në interes të saj.

“Fakti që Presidenti Trump jo vetëm që nuk e ka kontestuar Aktin e miratuar nga Kongresi, por e ka nënshkruar menjëherë atë, tregon se administrata Trump nuk ka synim të ndryshojë qasjen tradicionale të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe rajonit. Pas tërheqjes së dhëndrit të Trump nga projekti në Beograd, ky zhvillim krijon një hapësirë të re strategjike për Kosovën”, tha ai.

Ai ka theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet në politikat destabilizuese të Beogradit dhe të gjithë atyre që, sipas tij, ende besojnë se rajoni mund të rikthehet në logjikën e viteve ’90.

“Një element tjetër që duhet shfrytëzuar është mundësia për të identifikuar dhe targetuar aktorët që destabilizojnë rajonin. Pas zgjedhjeve, nuk duhet të vazhdojmë të merremi me njëri-tjetrin, por të bashkërendojmë veprimin institucional dhe politik për të denoncuar politikat destabilizuese të Beogradit dhe të gjithë ata që ende besojnë se rajoni mund të kthehet në logjikën e viteve ’90”, ka shkruar ai.

Të ngjashme