Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike ee Kosovës, Lumir Abdixhiku në tubimin e mbajtur në Pejë premtoi për zhvillim ekonomik në Pejë dhe për gjithë Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se do ta ndërtojnë centralin e ri me gazë.
“Zhvillimi ekonomik është shtylla tjetër e vizionit tonë. Në katër vite, parashohim pesë miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike prej pesë për qind. Këto nuk janë shifra në letër; janë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, zona industriale dhe vende pune. Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë dhe do ta lidhim Pejën siç e meriton. Do të ndërtojmë centralin e ri me gaz, në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që Kosova të mos importojë më një miliard euro rrymë, por ta prodhojë vet. Në shëndetësi, do të ndërtojmë Qendrën e Re Klinike të Kosovës me investim prej gjysmë miliardi eurosh. Do të vendosim sigurime shëndetësore funksionale dhe do ta digjitalizojmë sistemin, që askush të mos shesë pronë për t’u shëruar. Ky do të jetë investimi më i madh shëndetësor që nga viti 1964. Dhe mbi të gjitha, ne e dimë se asnjë program nuk ka kuptim pa shtet funksional. Pa Kushtetutë të respektuar. Pa institucione që punojnë. Pa partnerë ndërkombëtarë. Orientimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm: Bashkimi Evropian dhe NATO. Me dy për qind të buxhetit për mbrojtje, Kosova do të forcojë ushtrinë e vet dhe do të ecë drejt sigurisë së plotë euroatlantike”, tha ai.
I pari i LDK-së tha se qytetari po përballet çdo ditë me çmime më të larta, paga të pamjaftueshme dhe pasiguri për të nesërmen, e për këtë tha se ë.shtë pasojë e një politike që ka zgjedhur propagandën para punës dhe konfliktin para shtetit
“Institucionet janë bllokuar. Vendimmarrja është paralizuar. Përplasja me Gjykatën Kushtetuese është bërë normë. Partnerët tanë strategjikë janë larguar. Kosova ka përfunduar nën masa ndëshkuese, e izoluar, e përçarë, ndërkohë që qytetari po përballet çdo ditë me çmime më të larta, paga të pamjaftueshme dhe pasiguri për të nesërmen. Këtë realitet e ndien çdo familje këtu në Pejë. E ndien prindi që mezi e mbyll muajin. E ndien punëtori që sheh se puna e ndershme nuk po i mjafton për dinjitet. E ndien i riu që nuk sheh perspektivë dhe mendon largimin si zgjidhje të vetme. E ndien biznesi i vogël që përballet me pasiguri dhe presion. Dhe kjo nuk është rastësi. Është pasojë e një politike që ka zgjedhur propagandën para punës dhe konfliktin para shtetit”, tha ai.
Kandidati i LDK-së tha se Kosova ka djegur afro një miliard euro në import të energjisë e për këtë tha se ishte keqmenaxhim.
“Në këto katër vite, Kosova ka djegur afro një miliard euro vetëm në import të energjisë elektrike. Para publike, para tuaja, që sot do të mjaftonin për spitale moderne, për shkolla të reja, për paga më të mira dhe për zhvillim real në çdo qytet të Kosovës, përfshirë Pejën. Vetëm këtë vit janë djegur 250 milionë euro rrymë të blerë. E imagjinoni si do të dukej Dukagjini me 250 milion euro investim në katër vjet? Janë para tuaja. Janë pasuri e juaja, në përfundim të interesave të mafisë më të rëndë energjetike në vend. Kjo nuk është strategji. Kjo është keqmenaxhim. Është humbje kohe, humbje parash dhe humbje shprese. Po të ishin investuar këto para në shëndetësi, sot Kosova do ta kishte Qendrën e Re Klinike dhe sistemin më të mirë në rajon. Po të ishin investuar në arsim, sot fëmijët tanë do të kishin mësim tërëditor si çdo fëmijë tjetër në Evropë”, shtoi Abdixhiku.

