Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar në një tubim në Gjilan se Autostrada e Anamoravës është projekt strategjik kombëtar dhe çështje e drejtësisë zhvillimore për rajonin, raporton ekonomia Online.
Ai u zotua se projekti do të realizohet me prioritet brenda dy viteve të para të qeverisjes, duke theksuar se Gjilani meriton zhvillim real dhe rezultate konkrete.
Autostrada e Anamoravës nuk është luks. Nuk është projekt periferik. Nuk është as çështje elektorale. Është projekt strategjik kombëtar. Është çështje barazie territoriale. Është drejtësi zhvillimore për një rajon që ka dhënë shumë dhe ka marrë pak. Është lidhja që e nxjerr Gjilanin nga izolimi relativ dhe e shndërron në nyje ekonomike, tregtare dhe logjistike të Kosovës Lindore. Prandaj do ta bëjmë. Me prioritet. Brenda dy viteve të para. Këtë zotim e dhashë sonte në Gjilan. Në qytetin me plot energji, besim dhe dinjitet. Në një qytet që kërkon punë në vend të fjalëve, që kërkon zhvillim në vend të propagandës, rezultate e jo arsyetime. Gjilani meriton më shumë. Dhe do ta ketë”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku prezantoi edhe ekipin e kandidatëve të LDK-së për Gjilanin dhe Anamoravën, duke i cilësuar si përfaqësues të dëshmuar dhe të përkushtuar ndaj qytetit dhe vendit.
“Gjilani në listën e LDK-së përfaqësohet nga kandidatë të dëshmuar, me përvojë, integritet dhe përkushtim të plotë ndaj qytetit dhe vendit. Me numër 5 është Lutfi Haziri, me numër 28 Arbër Ismajli, me numër 32 Valentina Bunjaku-Rexhepi, me numër 52 Rexhep Kadriu, me numër 93 Xhylije Ibrahimi nga koalicioni ynë me PD, me numër 98 dr. Besim Guda, me numër 99 Afërdita Balaj-Ajdini, si dhe kandidati ynë nga Kamenica, me numër 106 Agim Kastrati. Është një ekip i fortë, i besueshëm dhe plot përgjegjësi publike, që përfaqëson denjësisht Gjilanin dhe gjithë Anamoravën”, theksoi ai.

