Vuqiç serish ndërhyn në zgjedhje, mbështet Listën Serbe

Prishtinë | 25 Dhj 2025 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se serbët duhet të sigurojnë përfaqësim politik që, sipas tij, do të mbrojë interesat e popullit serb dhe jo ato të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq përshëndeti vendimin e kandidatit Nikoliçeviç nga Shtërpca për t’u larguar nga lista që ai e cilësoi si e afërt me Kurtin, duke thënë se ky është një mesazh pozitiv.

Ai shprehu mbështetje të hapur për Listën Serbe, duke theksuar se pret që ajo të dalë fituese dhe të sigurojë numrin më të madh të mandateve për komunitetin serb.

“Le të luftojmë që përfaqësuesit serbë t’i fitojn vendet (ulëset) e tyre dhe që serbët të përfaqësohen në atë mënyrë që në të ardhmen ata të përfaqësojnë interesat e popullit tonë, dhe jo interesat e Albin Kurtit. Mendoj se mesazhi nga z. Nikoliçeviç nga Shtërpca, i cili nuk deshi të dalë në zgjedhje kundër popullit të tij dhe që u largua nga lista e Albin Kurtit, ose më saktë lista e Rashiçit, është gjithashtu mesazh i mirë. Unë e mbështes sinqerisht dhe shpresoj për një fitore të madhe dhe domethënëse për Listën Serbe dhe besoj se ata do të marrin numrin më të madh të mandateve serbe dhe dua që ata të përfaqësojnë me sukses popullin tonë”, tha ai.

Ndërkohë, Vuçiq tha se nuk është i informuar në detaje për hulumtimet apo zhvillimet e fundit nga Prishtina, por shtoi se shpreson që në ditët në vijim të ketë më shumë kohë për t’u marrë me këto çështje.


“Kurse sa i përket gjithckaje tjetër, do t’ju gënjeja nëse do të thoja se në shtatë ditët e fundit i kam parë hulumtimet nga Prishtina, por shpresoj që nesër do të kemi më shumë kohë për t’u marrë me këtë”, theksoi.

Të ngjashme