The New York Times raporton, duke iu referuar komunikimeve të përgjuara, se aleatë të ish-presidentit sirian Bashar al-Assad, i rrëzuar dhe tani në mërgim, po planifikojnë të minojnë autoritetin e qeverisë së re në Siri.
Sipas hetimit të gazetës amerikane, ish-komandantë ushtarakë dhe të shërbimeve të inteligjencës, si dhe kushëriri miliarder i Assadit, Rami Makhlouf, po rindërtojnë rrjete të armatosura dhe po intensifikojnë lobimin jashtë vendit pas shpërthimit të dhunës në prill.
Burime të NYT thonë se figura të lidhura ngushtë me regjimin e mëparshëm, kryesisht të vendosura në Rusi dhe Liban, po punojnë në mënyrë të fshehtë për të ringjallur rrjetet lojaliste brenda Sirisë, me fokus të veçantë komunitetin alavit, shtyllë e pushtetit të Assadit për dekada.
Në qendër të këtyre aktiviteteve përmenden Suhail al-Hassan, ish-komandant i njësive elitare i njohur si “Tigri”, dhe gjeneral-majori Kamal Hassan, ish-kreu i inteligjencës ushtarake. Të dy u larguan në Moskë bashkë me Assadin, por thuhet se mbeten aktivë përmes ndërmjetësve. Mesazhe të shqyrtuara nga NYT tregojnë se al-Hassan është takuar gjatë vitit të kaluar me bashkëpunëtorë në Liban, Irak dhe brenda Sirisë.
Diagramë të shkruara me dorë, të shpërndara në biseda grupore, përmbanin lista luftëtarësh dhe depo armësh në fshatra përgjatë bregdetit mesdhetar sirian, me pretendime se mund të mobilizohen dhjetëra mijëra persona. Në disa mesazhe, al-Hassan nënshkruhej si “luftëtar i shenjtë”, çka sugjeron përpjekje për ta paraqitur mobilizimin në kornizë sektare.
Tre burime të njohura me planet i thanë NYT se al-Hassan bashkëpunon ngushtë me Rami Makhloufin, i cili gjithashtu ndodhet në Moskë. Makhlouf dyshohet se financon pjesë të operacionit, duke shpërndarë para për familje të varfra alavite përgjatë bregdetit dhe duke u paraqitur si mbrojtës i komunitetit.
Një tjetër figurë kyçe është Ghiyath Dalla, ish-komandant i Divizionit të Katërt tashmë të shpërbërë, i cili vepron nga Libani. Në një bisedë telefonike të përgjuar në prill 2025, Dalla citohet të ketë thënë: “Nuk do të fillojmë derisa të jemi plotësisht të armatosur”.
Sipas mesazheve, Dalla shpërndante rreth 300 mijë dollarë në muaj për luftëtarë potencialë dhe komandantë lokalë, me pagesa individuale nga 200 deri në 1.000 dollarë. Ai kërkoi gjithashtu miratim për blerjen e pajisjeve satelitore të komunikimit me vlerë mbi 130 mijë dollarë. Komunikimet përmendin kontakte me milici proiraniane irakiane për kontrabandë armësh në Siri, si dhe plane të pezulluara atentatesh dhe përpjekje për sigurimin e dronëve dhe armëve antitank.
Dhuna sektare si katalizator
Mesazhet datojnë nga prilli, pas një vale dhune sektare në bregdetin sirian ku u vranë më shumë se 1.600 persona, kryesisht alavitë. Vrasjet pasuan sulme të koordinuara nga ish-pjesëtarë të strukturave të sigurisë kundër forcave besnike të pushtetit të ri dhe u panë gjerësisht si një moment për të nxitur rekrutimin.
Zyrtarë të mëparshëm thanë për NYT se frika dhe varfëria ekonomike mund ta lehtësojnë rekrutimin në komunitetet alavite, megjithëse të tjerë paralajmërojnë se pakënaqësia ndaj regjimit të Assadit mbetet e thellë pas viteve të luftës.
Përveç organizimit të armatosur, raporti përshkruan edhe një front politik paralel. Kamal Hassan thuhet se mbështet Fondacionin për Zhvillimin e Sirisë Perëndimore, me seli në Bejrut, i cili prezantohet si mbrojtës i pakicave siriane dhe alavitëve të zhvendosur.
Sipas regjistrave amerikanë, fondacioni ka angazhuar firmën lobuese Tiger Hill Partners dhe Joseph Schmitz, ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, në një kontratë prej një milion dollarësh. Fondacioni ka deklaruar se ka zhvilluar takime me zyra të disa kongresmenëve amerikanë, megjithëse bashkëpunëtorët e tyre i kanë përshkruar këto si kontakte rutinë në nivel stafi.
Zyrtarë sirianë minimizojnë gjasat për një kryengritje të koordinuar të armatosur, por disa diplomatë paralajmërojnë se lobimi ndërkombëtar mund të normalizojë gradualisht ide për fragmentim ose gjysmë-autonomi, nëse tranzicioni politik në Siri dështon. Si faktor shtesë presioni përmenden edhe veprimet izraelite për dobësimin e autoritetit qendror, përfshirë sulme ajrore të shtuara dhe kontakte me aktorë të armatosur në jug të Sirisë.