Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj pëlqimit publik të një “shkrimi denigrues dhe akuzues” ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe të dëmshëm për interesin shtetëror.
Në një postim të saj, Çitaku ka theksuar se një qëndrim i tillë nuk është i rastësishëm dhe as individual, por pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje. Sipas saj, sulmet ndaj figurave të historisë shtetformuese janë shndërruar në mjet politik.
“Pëlqimi publik i një shkrimi denigrues dhe akuzues ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës nuk është rastësi dhe as qëndrim individual. Ai pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje,” ka shkruar Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se mbështetja e një gjuhe përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësinë e Kosovës nuk përbën kritikë politike, por cenim të drejtpërdrejtë të imazhit dhe interesit shtetëror.
“Kur përfaqësues zyrtarë të shtetit përdorin ose mbështesin gjuhë përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësinë e Kosovës, kjo nuk është kritikë politike, është dëmtim i drejtpërdrejtë i imazhit dhe interesit shtetëror,” ka theksuar ajo.
Çitaku ka shtuar se kjo situatë është edhe më shqetësuese duke pasur parasysh faktin se Thaçi prej vitesh përballet me drejtësinë në Hagë, sipas saj, “për Kosovën, jo për veten”.
Në reagimin e saj, ajo ka rikujtuar se diplomatët dhe konsujt nuk janë aktivistë partie, por përfaqësues të shtetit dhe fytyra e Kosovës në botë.
“Diplomatët dhe konsujt nuk janë aktivistë partie. Ata janë fytyra e Kosovës në botë dhe mbajnë përgjegjësi të veçantë për gjuhën, qëndrimet dhe mesazhin që përcjellin,” ka shkruar Çitaku, duke paralajmëruar se qëndrime të tilla prodhojnë pasoja serioze dhe dëmtojnë interesat e vendit.
Ajo ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të konsullit në fjalë, duke e cilësuar të papërshtatshëm për të vazhduar përfaqësimin e Republikës së Kosovës.
“Për këto arsye, ky konsull nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në emër të dinjitetit shtetëror dhe interesit publik, duhet të ndodhë shkarkimi i tij i menjëhershëm,” ka përfunduar Çitaku, duke shtuar se Kosova meriton përfaqësim dinjitoz, profesional dhe unifikues në të gjitha përfaqësitë e saj diplomatike.