Derisa bllokada institucionale në vend po vazhdon, partitë politike nuk po arrijnë ende të gjejnë gjuhë të përbashkët për tejkalimin e krizës, raporton Ekonomia Online.
Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje bëjnë thirrje për dialog politik dhe arritjen e një marrëveshjeje, në PDK dhe Aleancë paralajmërojnë kundërshtim dhe masa ndaj, siç i kanë quajtur, shkeljeve kushtetuese.
Deputeti i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Osman Musliu, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve mes partive politike dhe për arritjen e një marrëveshjeje për tejkalimin e situatës politike në vend.
Musliu ka thënë se partitë politike duhet t’i lënë anash inatet dhe interesat partiake, duke theksuar se para se të jenë pjesë e subjekteve politike, qytetarët janë familjarë, miq e bashkëpunëtorë.
“Mirëpo është mendoj që partitë politike duhet me i humb, me i largu pak inatet mes veti. Janë marrë pak si me inat, liderët ndoshta po i shohin gjërat në mënyrën e vet. Unë tash jam deputet i ri edhe mendoj që duhet të konstituohet Kuvendi, por edhe partitë politike duhet t’i ulin gjakrat se para se me qenë njerëzit e partisë, ne jemi vëllezër mes veti, jemi dajë, nipi, kushëri, shokë, mik, dashamirë edhe nuk guxojmë me prishë unitetin në bazë të syzave të partisë. Më së pari duhet me i pasë bazë syzat e vëllait, e tani ne i kemi interesat personale, secili prej nesh, partidat politike e kanë programin e vet. Ai që fiton duhet me u respektu. Ai që fiton duhet me punu se i zgjedh se katër vjet shkojnë si sahora. Katër vjet nuk janë të gjata, puna e mbarë, e mirë dhe merrja pushtetin kësaj partie që është që ka fituar më shumë fitore. E tash… nuk e di, unë mendoj që ka mllef”, ka thënë ai.
“Unë mendoj që ai mllef nuk është ndonjë për sëmundje e madhe, mllef po mllefi kalon.Tash jam i ri hala edhe domethënë veç sa kam hyrë hera e parë në politikë. Unë e kam përcjellë gjithmonë politikën se gabimi më i madh është mos me u mos me u përcjellë politika çdo gjë që bëhet. Mirëpo tash unë nëse shkon zëri im unë do të jam pro me u respektuar mes veti, me u dashur mes veti edhe me punuar bashkë njëri me tjetrin. Per arsye se nuk jemi njerëz që duhet të shtyhemi me brryla me njëri-tjetrin. Ai që ka fituar duhet me i thënë për hajri, puno ti, merre amani sa nga ne. E jo për shembull unë mendoj që Vetëvendosja, Albin Kurti i ka lëshuar pe ha? Për arsye se po e lyp një kryetar konsensual, domethënë një kryetar që s’është i asnjë partie politike. E nëse partia atëherë është një farë, unë kam qenë nëpër odanjë farë kryetari e kran… nuk po i hyjmë në lidhje me parti me parti me na nga një kryetar. A nëse është për shembull… një kryetar që është i të gjithëve edhe mendoj që është shumë e dobishme me sjellë një kryetar që është i të gjitha partive politike edhe që është jo partiak. Politikan po, po jo partiak”, tha Musliu.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se kjo parti është duke diskutuar për aktivitetet që do t’i ndërmarrë, duke paralajmëruar se do të komunikojnë me qytetarët dhe se do të ketë masa ndaj, siç ka thënë ai gjendjes së krijuar.
“Se pari ne jemi në diskutim të brendshëm edhe te kryesia, edhe te grupi parlamentar, por edhe te të gjitha strukturat se cilat do të jenë aktivitetet tona. Por mbi të gjitha ne do të komunikojmë me qytetarin, me atë të cilit i takon të ketë një rezultat në institucionet që ka mbajtur edhe zgjedhjet, të tretat me radhë në nivel vendi që nuk do të duhej të jenë deri më tani, por që mund të jenë të katërtat edhe të pestat me radhë. Sepse po shohim një kryeneçësi të mazhorancës, të shumicës parlamentare, që e mendon që përgjegjësia e tyre është absolute, është edhe të zgjedhësh qeverinë, por edhe të zgjedhësh presidentin edhe të kapësh çdo pore të jetës edhe çdo pore të institucionit. Prandaj për neve nga çdo takim që kemi pasur me qytetarë edhe me mediat gjithashtu, kemi deklaruar që është e frikshme, është e dëmshme që një parti politike t’i kapë të gjitha institucionet, sepse pastaj nuk i ngjason demokracisë, por i ngjason sistemit autoritar. Dhe prandaj kemi kundërshtuar vazhdimisht. Kemi qenë për një figurë konsensuale që realisht i përfaqëson të gjithë popullin, derisa nuk ka pasur sigurisht që kemi dalë me një qëndrim tjetër në zgjedhjet e kaluara. Tani i kemi thënë të qartë qëndrimin tonë, ne jemi parti opozitare”, ka thënë ai.
“Por kur i shohim tejkalimet dhe shkeljet e vazhdueshme kushtetuese dhe që më nuk ka nevojë që t’i dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese për një konfirmim, sepse edhe një fëmijë i shkollës fillore e kupton që këtu janë të qarta në bardh e zi të shkruara, sepse janë shkelje të Kushtetutës. Dhe ne derisa shohim një arrogancë dhe shohim shkeljen e çdo… çdo themeli të shtetit tonë, të demokracisë sonë, që prek edhe bujkun, që prek edhe nxënësin, që prek edhe familjen, që prek edhe studentin, që prek edhe mjekun, që prek edhe ushtarin, e edhe që prek edhe policin, por çdo qytetar, sigurisht që ne nuk duam të rrijmë duarkryq dhe sigurisht që do të kemi masa të nevojshme karshi gjendjes”, tha Lushtaku.
Ndërsa deputetja e Aleancës, Albulena Bytyqi, ka deklaruar se çdo veprim i mëtejmë në Kuvend është antikushtetues, duke thënë se opozita është duke diskutuar për hapat që do t’i ndërmarrë.
“Është e vërtetë që çdo veprim që merret tutje është antikushtetues. Ne e dimë shumë mirë se si shkojnë procedurat në Kuvend dhe nuk është diçka e padijshme për neve si deputetë, por edhe për të gjithë ata që janë të informuar rreth Kuvendit. Mirëpo, e thashë, çdo veprim që merret tutje është antikushtetues. Ne gjithashtu e kemi, pak e kemi përmendur që patjetër rruga e vetme ka mbetur vetëm rruga me dalë dhe kjo është e padiskutueshme. Jemi duke diskutuar si parti, por edhe parti të tjera, kështu që po e shohim tutje se si do të veprojmë. Ne si Aleancë nuk e di sa do të kemi mundësi, mirëpo partitë e tjera janë duke shqyrtuar, por në bashkëpunim me partitë e tjera, pse jo”, ka thënë Bytyqi.
“Të shohim se si do të veprojë tutje Lëvizja Vetëvendosje dhe jemi të gatshëm me dhënë kontributin tonë. Ne e dimë shumë mirë se si shkohet me procedura, e thashë në fillim, mirëpo në momentin që shkelet Kushtetuta, e dimë që po kërkojnë vetëm afat kohor me blerë për me mund me çuar vendin në zgjedhje në dhjetor. Kjo është arsyeja kryesore pse po kërkon Kurti me çuar në Gjykatë Kushtetuese partitë opozitare këtë pjesë dhe pavarësisht të gjithave, ne e dimë se çka është në gjendje me bërë Lëvizja Vetëvendosje. Ne që nga fillimi i kemi refuzuar ftesat dhe gjithashtu do të vazhdojmë t’i refuzojmë. Kërkesat tona janë shumë të qarta dhe shumë të kuptueshme, kështu që nuk ka nevojë për pjesëmarrje. Vetëm le të del kryeministri Kurti, le të deklarohet për ato kërkesa dhe ne jemi të gatshëm me dhënë kontributin tonë”, tha Bytyqi.


