Vitin e kaluar në rajonin e Mitrovicës së Veriut u regjistruan 133 aksidente, Policia rendit shkaqet kryesore

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Veriut gjatë vitit 2025 ka realizuar gjithsej 32 plane operative “të cilat kanë pasur për qëllim mbikëqyrjen, mbarëvajtjen dhe kontrollin e rrjedhës së trafikut rrugor, me synim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve të trafikut”.

Në këtë pjesë gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 133 aksidente trafiku.

“Policia si pika me rrezik të shtuar (pika të zeza), ka identifikuar disa udhëkryqe si dhe kthesa në lokacionet: Leposaviq, Jarinjë, Sllatinë, Rudar, Serboc, Zubin Potok, Zupç, Varagë, Shtuoce dhe Bërnjak. Andaj apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në kthesa, segmente të ngushta sidomos gjatë sezonës së dimrit”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, shkaqet kryesore të aksidenteve kanë qenë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, mos mbajtja e distancës ndërmjet automjeteve dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit.

“Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor Mitrovicë Veri mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë rrugore për të gjithë qytetarët, andaj apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të parandalimit të aksidenteve, ruajtjes së jetës dhe sigurisë së përgjithshme”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme