Promovohet monografia për Shani Pallaskën, Çeku: Udhërrëfyes i çmuar për brezat e rinj

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 20:07 | Nga Ekonomia Online

Sot është promovuar libri monografik “Shani Pallaska – Emblemë e një epoke”, në përvjetorin e 27-të të vdekjes së Shani Pallaskës. Në këtë promovim u theksua roli i Pallaskës në artin shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se monografia për Shani Pallaskën është një dokument me vlerë të veçantë kulturore, që nderon jetën dhe veprën e tij dhe shërben si udhërrëfyes për gjeneratat e reja.

“Mbremje të tilla i mirëpresim gjithmonë me shumë kënaqësi, pasi janë rikujtim dhe festim i historisë sonë të pasur artistike dhe kulturore. Janë nderim për hir të tyre, për vitet e kaluara në ndjekje të një ëndrre, ideali, një thirrjeje, dhe jeta e Shani Pallaskës ishte e tillë. Monografia e titulluar ‘Shani Pallaska – Emblemë e një epoke’, me autor Visar Krushën, e stampon rolin dhe portretin e pazëvendësueshëm të Pallaskës në historinë e artit të vendit tonë. Monografia është dokument i rëndësishëm kulturor, studim dhe hulumtim me burime të vlefshme arkivore, që i shtohet me dinjitet kujtesës sonë kulturore, gjithmonë e përcjellë me rrethanat dhe kontekstin e kohës, atë historik, shoqëror dhe artistik. Ky libër, përveç se është testament me vlerë, është edhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja”, tha Çeku.

Regjisori Fadil Hysaj tha se Shani Pallaska ishte një figurë themelore për formimin e teatrit dhe se sakrifica e aktorit në skenë e bën atë një hero të vërtetë të artit.

“Kam pasur shumë dilema se çka me thënë për një artist të madh dhe mos me qenë në të njëjtën kohë i brengosur për pamundësinë për më të mirën e mundshme, për shkak se kur flitet për një artist flitet për personazhe. Ky është fati tragjik i aktorit, sepse kjo është edhe misioni i shenjtë dhe i mallkuar: krijon jetë që ka vetëm dy orë e gjysmë jetë, të na jetojmë dy vjet më shumë jo, në shtetet tjera deri në 40 vite. Kam parë në Zagreb që dy aktorë kanë filluar një shfaqje dhe edhe pas 20 vitesh shfaqja ka vazhduar. Për mua janë heronjtë më të mëdhenj të artit, sepse sakrifikojnë çdo natë kur dalin në skenë, rikthehen dhe përfundojnë prapë në harresë. Shani Pallaska na ka inkurajuar që me formu teatrin; ky ka qenë komunikimi i parë me një shpirt artisti. Kështu ka filluar, mendoj se shfaqja e parë nuk do të kishte qenë e mundur pa Shani Pallaskën. Mendoj se Muharrem Qena, përmes Shani Pallaskës, ka ardhur”, tha ai.

Autori i librit, Visar Krusha, tha se përmes kësaj monografie është nderuar një artist që ka vendosur standarde të larta profesionale dhe ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin individual, por edhe në ngritjen e kolegëve dhe të mjedisit artistik.

“Jam i lumtur që sot, në përvjetorin e 27-të të tij, e nderojmë me një libër figurën e tij. Ka krijuar me qindra role, me vokalin muzikal dhe të fuqishëm, diksionin e pastër, aftësitë për transformim në zhanre dhe role të ndryshme, dhe me punën e tij, edhe pas premierave, Shani Pallaska e ka ndërtuar një standard të lartë të punës së aktorit. Për mua ka qenë frymëzuese edhe përkushtimi modest i Pallaskës për t’i ngritur edhe kolegët në projektet ku ka punuar, duke dëshmuar se misioni i një artisti nuk është vetëm zhvillimi individual, por edhe mjedisi ku jeton”, tha Krusha.

Në fund, mbesa e tij, Gresa Pallaska, i ka dedikuar një video.

Të ngjashme