Reçaku në strategjinë hibride të Serbisë

Prishtinë | 15 Jan 2026 | 15:30 | Nga Rdivan Emini

Reçaku në strategjinë hibride të Serbisë

(Anatomia e mohimit në 27 vjetorin e masakrës)

Mohimi i Masakrës së Reçakut nga Serbia nuk është thjesht betejë me të “vërtetën” për fajësinë apo pafajësinë, por është pjesë e strategjisë së saj më të gjerë për projektin hegjemonist të “Botës Serbe”. Një angazhim intensiv politik, mediatik e kulturor, duke përfshirë rolin e Kishës Ortodokse, për të prodhuar konfuzion me qëllim të shmangies së përgjegjësisë, si mënyra e vetme që “legjitimon” vazhdimin e politikës së saj hegjemoniste ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera në rajon.

Masakra e Reçakut ekspozon simbolikisht edhe narrativën e “padrejtësisë” ndërkombëtare ndaj Serbisë, për shkak të insinuatave të Aleksandër Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë se ka qenë “një trillim për ta justifikuar ndërhyrjen e NATO-s”. Krahas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës si “sakrificë heroike” në mbrojtje të serbëve, në kuadër të strategjisë hibride kundër Kosovës, Reçaku ka përjetuar edhe mohim “artistik e kulturor”, si një metodë më e “kultivuar” për tjetërsimin e të vërtetës te publiku serb dhe ai ndërkombëtare.

“Kultura” si instrument hibrid

Pas dështimit për ta fshehur krimin përmes manipulimit institucional, Serbia e ka vazhduar betejën me kombinimin e mohimit zyrtar dhe instrumentalizimit të artit e kulturës. Shumë dokumentarë, filma artistikë, ekspozita dhe projekte operistike, janë investuar për “të vërtetën” e Reçakut dhe për “mbrojtjen” e Kosovës. Titrimi në gjuhë të huaja dhe shpërndarja në botën e jashtme përmes kanaleve zyrtare e platformave transmetuese, dëshmon se ato produkte nuk i dedikohen vetëm audiencës së brendshme, por edhe asaj ndërkombëtare. Radio Televizioni i Serbisë (RTS), si megafon i propagandës serbe, ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol kyç në këtë drejtim.

Dokumentari “Račak – istine i laži” (Reçaku – të vërtetat dhe gënjeshtrat, 2009) është prodhim i tij në dhjetëvjetorin e masakrës, që i paraqet viktimat civile si luftëtarë të UÇK-së dhe sulmon drejtpërdrejt shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker si “inskenues” të krimit. Së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), ky transmetues ka realizuar gjithashtu një seri dokumentarësh me titull “Dosije Kosovo” (Dosja e Kosovës, 2021-2024) me katër pjesë, ku “rrëfehen” kronologjikisht ngjarjet dhe fatet e civilëve e të forcave të sigurisë serbe në Kosovë gjatë periudhës 1998-2004.

Në secilin episod, manipulohen “faktet” me qëllim të portretimit të UÇK-së si forcë ’’terroriste’’. Pjesa e parë trajton vitin 1998, kur përmes intervistave të inskenuara “dëshmohen” sulmet dhe vrasjet e UÇK-së në fshatra e banuara me serbë. Pjesa e dytë e trajton Masakrën e Reçakut, i paraqet viktimat civile si pjesëtarë të UÇK-së të “kamufluar” me rroba civile. Ky episod paraqet kulmin e propagandës për mohimin e këtij krimi masiv të forcave serbe. Ndërkaq, pjesa e tretë merret me “Shtëpinë e verdhë’’, duke akuzuar UÇK-në për rrëmbim të serbëve dhe trafikim organesh, një fabrikim tashmë i rrëzuar por me pasoja serioze ndaj Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së që po vazhdojnë të gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Kurse, pjesa e katërt trajton ngjarjet e marsit 2004, duke e demonizuar shtetin e Kosovës dhe duke akuzuar shqiptarët për gjoja spastrim etnik ndaj serbëve. Intervistat dhe narracioni në gjuhen angleze, ruse dhe shqipe, tregon se Serbia, përmes këtij dokumentari, kishte për qëllim të përhapë narrativat e saj të rrejshme, jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe te opinioni shqiptar.

Menjëherë pas ciklit të këtij dokumentari, një “produksion i pavarur” ka prodhuar filmin “Anatomy of Deception – Račak” (Anatomia e Mashtrimit – Reçaku, 2023). që është vazhdim i narrativës serbe për Reçakun. Ky film e demonizon figurën e ambasadorit Walker gjoja si agjent të CIA-s me mision destabilizues dhe “zbërthen” më tutje teorinë konspirative për Masakrën e Reçakut si “trillim”. Nga ana tjetër, për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, krahas lobimit të drejtpërdrejt shtet me shtet, Serbia e ka përdorur edhe dokumentarin “Kosovo: A Moment in Civilization” (Kosova: Një moment në civilizim, 2017). Ky prodhim është mbështetur financiarisht nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe nga Qendra Kulturore e Serbisë në Paris. Me këtë dokumentar Serbia ka synuar t’i paraqesë shqiptarët si vandalë, Kosovën si shtet të paaftë e barbar, kurse serbët si të përndjekur e të vuajtur, pikërisht para fillimit të votimit për anëtarësim në UNESCO, duke bërë thirrje të hapur për mos votim.

Ndërkohë, Zyra për Diplomaci Publike dhe Kulturore e udhëhequr nga Arnaud Gouillon, ka propaganduar përmes organizimit të ekspozitave dhe aktivitete nëpër shumë vende të botës, përfshirë ekspozitën “Takimet me serbët e fundit në Kosovë dhe Metohija” në Paris, duke kalkuluar dezinformimin e audiencës ndërkombëtare për Kosovën. Pra, krahas dokumentarëve, filmat artistikë stisin një univers simbolik për serbët si viktima të përhershme dhe shqiptarët si agresorë e të pandershëm.

Në këtë funksion hyn edhe projekti më i ri operistik “Beteja e Kosovës”, i paralajmëruar nga Teatri Kombëtar Serb në Novi Sad. Ky projekt nuk është vetëm iniciativë artistike, por përfaqëson investimin më të ri në luftën narrative kundër Kosovës. Përmes operës, si formë elitare e komunikimit kulturor, regjimi i Vuçiqit do të tentojë nxitjen e simpatisë dhe legjitimitetin e mitit serb për Kosovën në skenat prestigjioze ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, produktet kulturore janë instrumentalizuar për mohimin e krimeve, në funksion të qëllimeve hegjemoniste të “Botës Serbe”.

“Fshehja” e denoncuar ndërkombëtarisht

Në strategjinë e mohimit është përfshirë edhe gjyqtarja hetuese asokohe, Danica Marinkoviq, e cila ende po tenton ta deformojë të vërtetën. Pasi kishte dështuar fshehja e krimit në Reçak, ajo kishte urdhëruar transferimin e kufomave për obduksion, duke tentuar të krijonte një narrativë mashtruese përmes kontrollit të provave. Megjithatë, autorësia e krimit qe konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e ekipit të BE-së në krye me Dr. Helena Ranta, i cili rreth dy vjet më vonë raportoi “se të gjithë të vrarët dhe të masakruarit ishin civilë shqiptarë të paarmatosur, të nxjerrë dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe të dërguar drejt Kodrës së Babushit për ekzekutim”.

“Vonesa” prej dy vjetësh i kishte dhënë Serbisë hapësirë për manipulim, por mediat e pavarura ndërkombëtare e raportuan të vërtetën dhe ekspozuan tendencat serbe për fshehjen e këtij krimi. Pavarësisht kësaj, Serbia ka vazhduar politikën e mohimit edhe përmes BIA-s, duke implikuar rrjetin e spiunazhit në Kosovë për fabrikimin e spitali ushtarak të UÇK-së në Monopollc, ngjashëm me skenarin e “Shtëpisë së Verdhë”.

Aktakuza si denoncim i Serbisë

Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 21 personave të cilët i bënë përgjegjës për krimet e kryera në Reçak, është zhvillimi i fundit që dëshmon se nuk është vetëm një hap procedural i drejtësisë, por edhe ballafaqim i drejtpërdrejt me narrativën falsifikuese të Serbisë. Kjo aktakuzë, edhe pse e vonuar, konfirmon se krimi i kryer nga Serbia në Reçak nuk është harruar dhe se përgjegjësia penale nuk “parashkruhet”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të dyshuarit akuzohen për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ’’243 të Mekanizuar’’, Armatës së III-të, e njohur si ’’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP). Të njëjtit akuzohen edhe për trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Me këtë zhvillim nga institucionet e drejtësisë, Masakra e Reçakut tani merr edhe “vulën” juridike të përgjegjësisë shtetërore të Serbisë, si një krim i dokumentuar 27 vjet më parë, pavarësisht përdorimit të “shoshës” për ta eklipsuar atë

Të ngjashme