Identifikon shoferin që dyshohet se shkaktoi aksident me katër të lënduar dhe iku nga vendngjarja

Prishtinë | 20 Jan 2026 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës (PK) njofton se ka identifikuar dhe lokalizuar shoferin që dyshohet për shkaktim të aksidentit me katër të lënduar në Prishtinë. Ndaj tij janë ndërmarrë masa ligjore.

Sipas Policisë, më 18 janar, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin ishin përfshirë tri automjete dhe ishin lënduar katër persona.

“Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, një automjet kishte goditur dy vetura, me ç’rast ka shkaktuar lëndime trupore te katër persona, si dhe dëme materiale në automjetet e përfshira në aksident. Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.

“Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi. Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për rritjen e sigurisë në trafik dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme