Ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Prokruorial të Kosovës (KPK), pasi nuk kaluan pikat e rendit të ditës që ishin paraparë për këtë mbledhje, e ku çështja e vendosjes në rend dite e certifikimit të rezultatit të procesit zgjedhor për anëtarin e KPK-së, nxit debat në këtë mbledhje, raporton Ekonomia Online.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se çdo vendimmarrje do t’i nënshtrohet procedurave të parashikuara me ligj.
“Vendos që këtë propozim ta vendos si pikë të tretë të rendit të ditës. Ka për qëllim që Këshilli të ketë mundësinë ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të hapur dhe transparente. Po ashtu theksoj qartë se çdo vendimmarrje do t’i nënshtrohet procedurave të parashikuara me ligj dhe nuk mund të prodhojë efekt juridik jashtë kornizave ligjore. Propozimi i tre anëtarëve futet në rendin e ditës si pikë e tretë e rendit të ditës”, tha Qalaj.
Ndërsa anëtari Visar Krasniqi teksa kërkoi që të futej kërkesa e tij në rend të ditës, iu drejtua Qalajt me pretendimin se ka shkuar në mbledhje me idenë që ta bllokojë Këshillin.
“Tre anëtarë kanë kërkuar që ta vendosni si rend të parë në rend të ditës. Sa anëtarë i ke, pesë janë. Keni ardhur me këtë ide që me blloku Këshillin, nuk është e re, diçka për mua kjo është e pritshme”, tha ai.
Më pas, kryesuesi vendosi për votim pikat e rendit të ditës, të cilat nuk kaluan asnjëra.
“Takimin e përfundojmë dhe nuk ka më asnjë diskutim. Takimi i radhës do t’ju bëhet me thirrje zyrtare për të ardhmen. Këtu takimi mbyllet”, tha Qalaj.
