Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe se është e gatshme t’i zhvillojë ato kontakte.
“Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe Bashkimin Evropian për koment dhe është në pritje të përgjigjeve.
Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë në një periudhë kur figura të rëndësishme në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani paralajmërojnë për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, ndërsa Serbinë e portretizojnë si “dorë të zgjatur të Rusisë” në rajon.
Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.
Analistë të çështjeve politike kanë përsëritur disa herë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara, janë tri elementet kyç përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan dhe që Serbia e Republika Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – janë më të rrezikuarat në rajon nga ndikimi rus, pasi në to mund të rritet sentimenti i nacionalizmit ekstrem. /REL/