Krasniqi: Përjashto Prizrenin, mospërputhjet e larta nga rinumërimi janë të izoluara dhe lehtë të evidentueshme

Prishtinë | 20 Jan 2026 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave po vazhdon me intensitet të lartë dhe me angazhim të madh të stafit të KQZ-së.

Sipas tij, aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë të angazhuar rreth 250 zyrtarë dhe procesi po zhvillohet në 38 tavolina të posaçme.

“KQZ aktualisht ka të angazhuar rreth 250 zyrtarë në QNR me 38 tavolina për procesin e rinumërimit i cili pritet të përfundojë deri në fund të muajit”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se rezultatet e deritanishme nga rinumërimi tregojnë se, përjashtuar komunën e Prizrenit, rastet e tjera me mospërputhje të mëdha janë të pakta.

“Rezultatet e deritanishme nga rinumërimi tregojnë që përjashto Prizrenin, rastet tjera të mospërputhjeve të larta që mund të konsiderohen ndërhyrje të qëllimshme nga numëruesit në QKN janë të izoluara dhe lehtë të evidentueshme edhe për organet e drejtësisë”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka shtuar se procesi i rinumërimit po vazhdon me përkushtim të plotë, duke garantuar transparencë dhe saktësi.

“Angazhimi për t’u rinumëruar secila kuti dhe votë e kandidatëve vazhdon me përkushtim duke siguruar transparencë dhe saktësi për procesin e rinumërimit, kurse përgjegjësi për shkelësit”, ka shtuar ai.

Të ngjashme