Juristja dhe aktivistja për lirinë e medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj padisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kundër emisionit “Rubikon” dhe Janina Ymerit, duke e cilësuar atë si presion politik ndaj mediave.
Në një postim të saj, Kusari ka thënë se padia përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike.
“Padia është presion i drejtëpërdrejtë politik në media!”, ka shkruar ajo.
Sipas Kusarit, kjo padi është e palejueshme edhe në aspektin ligjor, pasi KEK-u është ndërmarrje publike.
“Padia është e palejueshme sepse autoritetet publike nuk kanë të drejtë të kërkojnë kompenzim dëmi për shpifje dhe fyerje. KEK është ndërmarrje publike, pra autoritet publik dhe nuk ka të drejtë të ushtrojë këso lloj padish”, ka theksuar ajo.
Ajo ka shprehur shpresën që pala e paditur të kërkojë hedhjen poshtë të padisë.
“Shpresoj që të paditurit në përgjigjet e tyre do të kërkojnë hedhjen poshtë të kësaj padie si të palejueshme”, ka deklaruar Kusari.
Tutje, Kusari e ka cilësuar këtë veprim si padi të ushtruar nën ndikim politik.
“Kjo është padi e ushtruar nën ndikimin politik, sipas modelit hungarez – alla Orban, me qëllim që të heshtet kritika ndaj KEK dhe të intimidohen të tjerët”, ka shkruar ajo, duke shtuar se këtë, sipas saj, e dëshmon edhe publikimi i padisë nga vetë KEK-u në Facebook.
“Nuk ka vend për shaka dhe argëtim. Ka vend për shqetësim sepse ky është një sinjal se çfarë na pret nga VV-ja në gjysmë dekaden e ardhshme. Do të përdoret çdo mjet për të cënuar lirinë e shprehjes ashtu siç ka ndodhur në pesë vitet e fundit”, ka theksuar Kusari.
Ajo ka rikujtuar se autoritetet publike duhet të tolerojnë kritikën.
“Ia rikujtoj KEK-ut dhe VV-së që autoritetet publike nuk gëzojnë reputacion në kuptimin ligjor dhe se demokracia kërkon që ato mund të kritikohen hapur, prandaj edhe duhet të tregojnë nivel të lartë të tolerancës”, ka shtuar ajo.