AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë

Prishtinë | 20 Jan 2026 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për konfirmimin e pranishmërisë së gripit të zogjve (Avian Influenza HPAI–H5N1) në Republikën e Polonisë, duke bazuar njoftimet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, datë 11.01.2026.

Sipas raportit, sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe tek shpezët e egra në regjionet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

Në një komunikatë, AUV ka njoftuar se për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore në Kosovë, vendos ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. “Përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura”, theksohet në komunikatë.

Agjencia ka bërë me dije se kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës. “AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo ndryshim eventual”, thuhet më tej.

Të ngjashme