Policia e Nigerisë ka konfirmuar se persona të armatosur rrëmbyen dhjetëra banorë në shtetin Kaduna gjatë fundjavës, pasi fillimisht autoritetet lokale e kishin mohuar incidentin.
Zëdhënësi i policisë kombëtare, Benjamin Hundeyin, tha se rrëmbimi ndodhi të dielën dhe se janë nisur operacione sigurie për gjetjen dhe shpëtimin e viktimave.
Autoritetet nuk kanë dhënë një shifër zyrtare, por burime të ndryshme flasin për një numër të lartë të të rrëmbyerve. Një ligjvënës lokal e vlerësoi numrin në 168 persona, ndërsa kreu i Shoqatës së Krishterë të Nigerisë për veriun e vendit deklaroi se 172 besimtarë u rrëmbyen, nga të cilët nëntë arritën të arratisen.
Sulmi ndodhi teksa banorët ishin mbledhur për lutje në disa kisha në fshatin Kurmin Wali. Sipas raportimeve nga terreni, rrëmbyesit kanë kërkuar kthimin e 10 motoçikletave si kusht për lirimin e pengjeve.
Rrëmbimet masive për shpërblim janë të shpeshta në veri dhe qendër të Nigerisë, ku bandat e armatosura vazhdojnë të sulmojnë komunitete si të krishtera ashtu edhe myslimane, duke thelluar krizën e sigurisë në vend.