Katër vëllezër e motra, tetë medalje olimpike

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Një familje sllovene po shkruan histori në garat e kërcimeve me ski. Bëhet fjalë për familjen Prevc. Katër fëmijët e kësaj familjeje i kanë tashmë plot tetë medalje në Lojërat Olimpike Dimërore.

Në Olimpiadën dimërore që po mbahet në Milano e Cortina të Italisë, Domen e Nika Prevc fituan medalje për Slloveninë në garën ekipore miks. Është kjo garë ekipore ku paraqiten dy kërcyese e dy kërcyes me ski.

Pos Nika Prevcit dhe Domen Prevcit, ekipi i Sllovenisë është përbërë edhe nga Nika Vidan dhe Anzhe Lanishek.

Sllovenia fitoi të artën para Norvegjisë, që fitoi të argjendtën, dhe Japonisë, të cilës i takoi e bronzta.

Domen Prevc është 26-vjeçar, kurse i ka edhe dy medalje të arta në Botëror.

Nika Prevc është vetëm 20-vjeçare, kurse në “Milano Cortina 2026” e ka edhe një medalje të argjendtë në gara individuale. Ajo po ashtu i ka dy të arta Botërore. Vlerësohet prej garueseve më të mira të reja në botë.

Por Domeni e Nika nuk janë të parët e familjes Prevc me suksese kulmore.

Peter Prevc e fitoi një të artë në “Pekini 2022”. I ka edhe dy medalje të argjendta olimpike dhe një të bronztë.

Cene Prevc tashmë i ka dhënë fund karrierës si garues i kërcimeve me ski. Ai është 29-vjeçar. E fitoi një medalje të argjendtë olimpike katër vjet më parë në Pekin.

Familja Prevc është e para që i ka katër anëtarë me medalje të fituara në Lojërat Olimpike Dimërore, shkruan Komiteti Olimpik Evropian.

“Prindërit tanë gjithnjë na kanë përkrahur dhe jam shumë falënderues”, ka thënë Domen Prevc pas suksesit të fundit.

“Duke garuar bashkë me motrën, Nikën, e dërgon këtë sukses në nivel tjetër. Ajo po paraqitet shumë mirë, po kalon distanca të mëdha. Të jem në podium bashkë me të është një gjë që mendoj se do të futet në histori”, ka shtuar slloveni.

Nika Prevc ka thënë se nuk ka asgjë më të mirë se të ndajë medaljen më të famshme në botë bashkë me vëllain.

Në “Milano Cortina 2026” janë edhe tri gara të kërcimeve me ski. Nika e Domen Prevc do të garojnë sërish. Dhe nuk përjashtohet mundësia që në koleksionin shumë të pasur të kësaj familjeje të shtohet edhe ndonjë medalje tjetër olimpike.

Të ngjashme