Mungesa e kërkesave nga institucionet, Komisioni për Administratë Publike nuk propozon ndryshime në buxhet

Prishtinë | 18 Shk 2026 | 09:46 | Nga Drita Dërmaku

Me shtatë vota “për”, dy kundër dhe një abstenim Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal njofton komisionin funksional për buxhet, punë dhe transfere se nuk ka rekomandime as amendamente në projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024, raporton Ekonomia Online.

Anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu tha se nuk e sheh të arsyeshme të merret ndonjë vendim lidhur me buxhet pasi nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga institucionet përkatëse.

“Megjithatë, ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë, qoftë nga institucionet e pavarura, qoftë nga ministritë përkatëse për shtim buxheti, prandaj edhe nuk jemi të obliguar që të marrim ndonjë vendim sot për rritje të buxhetit ose për buxhet shtesë. Duke e pasur parasysh që ndoshta afatet kohore për ne si deputetë kanë qenë shumë të shkurtra, unë mendoj që agjencionet ose institucionet e pavarura kanë pasur mundësi qysh më herët që t’i dërgojnë kërkesat e tyre për nevojat e tyre, sepse ata i dinë më saktë se ne se për çfarë kanë nevojë e a kanë nevojë vërtetë për shtesë buxheti ose për buxhet shtesë për ato institucione. Prandaj, përderisa ne sot nuk kemi asnjë kërkesë të adresuar si komision, nuk kemi asnjë obligim dhe asnjë përgjegjësi nëse atyre nesër ju mungon buxheti. Kështu që më vjen keq, sepse kemi dëgjuar lajme të ndryshme, kemi dëgjuar kërkesa të ndryshme periferike, por jo institucionalisht; nuk na është drejtuar asnjë kërkesë dhe kjo është paksa shqetësuese me thënë të drejtën. Unë kam prit që sot të kemi material për të shqyrtuar, do të kemi kërkesa nga institucionet dhe unë besoj fort që fryma e këtij komisioni ekziston edhe fryma e bashkëpunimit dhe kishim mujt që të paktën si komision t’i adresojmë në mënyrë unanime ato kërkesa dhe ndoshta do të kishim marrë mbështetjen edhe në Kuvend. Kështu që, përderisa ne nuk kemi ndonjë kërkesë, unë mendoj që nuk obligohemi që të bëjmë kërkesa shtesë“, tha Musliu.

Ndërsa anëtarja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se e kanë të pamundur me vepru për shkak të afatit të shkurtër.

“Meqenëse është periudhë e shkurtër kohe që ne duhet me e trajtu, sepse na përket, kemi votuar në seancë plenare që të mos shkohet me procedurë të përshpejtuar, po të lihet afat edhe deputetëve për analizë të mirëfilltë, ndoshta edhe dikasterëve të cilët i përkasin këtij, kësaj fushëveprimtarisë sonë, që me e çu në një kërkesë për shtim të buxhetit. Meqenëse është afati tepër i shkurtër dhe sot përfundon dorëzimi i amendamenteve në Komisionin për Buxhet dhe Financa, e kemi të pamundur me vepru. Shumë të pamundur e kemi me vepru, kështu që ne mbesim, këtë pikë veç edhe e trajtojmë edhe në këtë komision po edhe në komisionin tjetër sa për të thënë që po e trajtojmë, sepse mundësitë kohore për me bë diçka as në këtë komision, as në komisionin tjetër nuk i kemi”, tha Kadrijaj.

Në rend të ditës ka qenë vetëm një pikë: Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-001  mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Të ngjashme