Gjykata pranon administrimin e provave në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit

Prishtinë | 20 Shk 2026 | 10:27 | Nga Gzim Mujaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar që të administrojë provat në rastin e sulmit në Banjskë, raporton Ekonomia Online.

Administrimi i provave është propozuar nga prokuroria dhe palët e dëmtuara, gjatë ditës së djeshme.

Ndërsa Avokati i palës së dëmtuar, Naim Rudari, edhe gjatë seancës së sotme ka propozuar që pjesë e provave të jenë edhe dokumente dhe dëshmi që lidhen me të dëmtuarin Alban Rashiti.

“Kemi disa prova për të dëmtuarin Alban Rashiti dhe që këto plagë ka pësuar njëkohësisht tani kur heroi i Kosovës Afrim Bunjaku pësoi plagë vdekjeprurëse që janë shkaktuar drejtpërdrejt nga grupi terrorist, pjesë e të cilit ishin edhe tre të akuzuarit që ishin në sallë. Mbrojtësi i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq na dorëzoi dje një diplomë për të akuzuarin Blagoje Spasojeviq se ai është teknik mjekësie, por ne kemi prova të mjaftueshme që Blagoje Spasojeviq në Banjskë nuk u arrestua me mantelin e bardhë të teknikut, por u arrestua me uniformën e gjelbër ushtarake, i pajisur me armë automatike dhe në gjoks mbante edhe katër karikatorë. Pra, Blagoje Spasojeviq dhe të akuzuarit e tjerë nuk ishin që shëronin plagë, por që shkaktonin plagë. Alban Rashiti nga plagët që ka pësuar akoma është në trajtim mjekësor dhe pushim mjekësor, duke mos pasur mundësi që të vazhdojë punën e tij”, tha ai.

Mbrojtja e të akuzuarve thanë se nuk kanë çfarë të shtojnë i lënë gjykatës që të vendos.

Pas konsultimit, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, tha se gjykata, pas dëgjimit të palëve lidhur me propozimet për provat materiale dhe kundërshtimet e paraqitura, ka vendosur që të administrohen provat e propozuara nga prokuroria speciale, të cilat janë paraqitur në seancën e mëparshme.

Ai tha se, sa i përket kundërshtimeve të mbrojtjes lidhur me ligjshmërinë e ekzaminimit të telefonëve, trupi gjykues ka vlerësuar se ato janë të ligjshme, duke u bazuar në vendimin e Gjykata e Apelit e Kosovës të prezantuar një ditë më parë.

“Pas dëgjimit të palëve për propozimin e provave materiale dhe kundërshtimeve të theksuara, trupi gjykues merr aktvendim: administrohen provat e propozuara nga prokuroria speciale të paraqitura në seancën e djeshme. Sa i përket ligjshmërisë së ngritur nga mbrojtja lidhur me ekzaminimin e telefonëve, trupi gjykues ka vlerësuar se të njëjtat janë të ligjshme bazuar në vendimin e prezantuar dje të gjykatës së apelit. Administrohen të gjitha provat e propozuara nga avokati Lubomir të prezantuara në seancën e djeshme. Aprovohet propozimi i avokates Jelena që në cilësinë e provës materiale të administrohet deklarata e dëshmitarit të aprovuar nga kjo gjykatë e që nuk ka mundur për shkaqe shëndetësore të jetë në seancë. Obligohet prokuroria speciale që në afat prej 5 ditësh t’ia sigurojë gjykatës këtë deklaratë që do t’u përcillet edhe mbrojtjes e që do të jetë edhe provë në këtë proces gjyqësor”, tha ai.

Ai shtoi se janë administruar edhe të gjitha provat e propozuara nga avokati Lubomir në seancën e kaluar, ndërsa është aprovuar edhe propozimi i avokates Jelena që, në cilësinë e provës materiale, të administrohet deklarata e një dëshmitari të aprovuar nga gjykata, i cili për arsye shëndetësore nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë.

Sipas tij, prokuroria speciale është obliguar që brenda pesë ditësh ta dorëzojë këtë deklaratë në gjykatë dhe ta përcjellë edhe te mbrojtja, në mënyrë që ajo të përdoret si provë në këtë proces gjyqësor.

“Në seancën e djeshme mbrojtësit e të akuzuarve kanë ngritur çështjen që të njëjtit nuk janë të pajisur me të gjitha shkresat e lëndës. Trupi gjykues ndan qëndrimin që avokatët kanë specifikuar sipas obligimeve, megjithatë përkundër këtij fakti dhe me qëllim të mbrojtjes efektive të të gjitha palëve në procedurë, në këtë rast të akuzuarve, trupi gjykues obligon mbrojtësit e të akuzuarve që më së largu deri më datën 30 mars të evidentojnë dhe t’i përcjellin prokurorit dhe të njoftojnë edhe gjykatën se cilat janë provat që të njëjtit u mungojnë, në mënyrë që të njëjtit të jenë të gatshëm t’i trajtojnë në fjalën përfundimtare. Gjykata tërheq vëmendjen që provat shtesë që mund të kërkohen duhet të jenë të ndërlidhura vetëm me objektin e aktakuzës dhe të pandehurit prezent. Pas afatit që skadon që mbrojtja të paraqesë këto propozime, obligohet prokurori special që brenda tri ditësh të japë qëndrimin e tij mbi propozimin e mbrojtjes”.

“Po ashtu avokatja Jovan ka kërkuar dje nga gjykata që t’i mundësohet që në qendrën e paraburgimit t’i shikojë disa nga provat materiale me të mbrojturin e saj dhe kjo gjykatë do t’i marrë të gjitha veprimet edhe me qendrën e paraburgimit në mënyrë që t’u mundësohet një gjë e tillë”, tha ai.

Në seancën gjyqësore të mbajtur dje Peokurori i rastiti Naim Abazi, propozoi administrimin e disa provave, përfshirë dy raporte përmes

ndihmës juridike ndërkombëtare nga SHBA me të dhëna elektronike nga Meta dhe Google.

Ndërkohë Mbrojtja, përmes avokatëve Ljubomir Pantovic ,  Millosh Deleviq dhe Jovana Fillipoviq kundërshtuan ligjshmërinë dhe relevancën e provave, duke kërkuar edhe ndërprerje të shqyrtimit deri në pajisjen me të gjitha materialet e lëndës.

Po ashtu dy të akuzuarit, Toliq dhe Maksimoviq, kërkuan respektivisht që fotografitë dhe video-incizimet të përdoren për të dëshmuar pafajësinë e tyre.

Të ngjashme