Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione ka miratuar në parim fushëveprimin e planit të punës të këtij komisioni. Gjatë mbledhjes pati edhe propozime, por ato mbetën për diskutim në mbledhjet e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Anëtarja e komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, tha se fushëveprimi të kalohet, ndërsa pikat e tjera të propozuara të diskutohen në komisionin e radhës.
“Nuk po e shohim ndonjë pengesë që në komisionet e radhës me pa se çka është e mundur. Ne e kemi edhe komisionin që vet po flet për të drejtat e njeriut dhe e keni të drejtën e botës me shqyrtu të gjitha pikat të cilat neve na preokupojnë, kështu që kisha dasht që si komision ta kalojmë si pikë, sepse shumica e pikave janë të prekura dhe nuk kisha dashtë me diskutu më shumë”, tha ajo.
Ndërsa nënkryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, tha se vërejtjet duhet të paraqiten sot, ndërsa të diskutohen në mbledhjen e radhës.
“Unë propozoj që të gjithë ata që mund të kenë vërejtje në këtë fushëveprim t’i deponojnë sot ose nesër të gjitha këto vërejtje dhe në mbledhjen e ardhshme mund t’i diskutojmë edhe t’i votojmë një nga një, sepse mendoj që këtu duhet me pas njëfarë reflektimi të konsensusit brenda komisionit. Mendoj që në hapësirë letre kemi mjaftueshëm me fut ligje, nuk na pengon asgjë, nëse e riformulojmë, sepse gjuha shqipe është e pasur, mund ta riformulojmë një pikë që me fut edhe një pikë të Zotit Zemaj dhe kështu me arrit një konsensus. Propozimi im është kushdo që ka vërejtje, edhe kolegu që pat vërejtje, me i bë me shkrim dhe në mbledhjen e ardhshme me i votu”, tha Behrami.
Ndërsa anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Salih Zyba, tha se fushëveprimtaria duhet mbikëqyrur dhe se ajo ka qenë e aprovuar në seancë.
“Nuk e përcaktojmë ne këtu me vota dhe propozime fushëveprimtarinë, është e përcaktuar. Ne po kalojmë në pika të tjera dhe të prioritizojmë çështjen në mbikëqyrje. Hedhim norma, ligje, ne me automatizëm e kemi me ligj me mbikëqyr. Të lutem, çfarëdo propozimi që vjen nuk është çështje që ta votojmë ne, por është fushëveprimtari që është e aprovuar në seancë, janë dikasteret. Ne kemi kërkuar korrigjimin sepse në parim ka qenë gabim, ndërsa tash mbulueshmëria është me fusha, jo me ligje. Unë e kam propozimin tek të ndryshmet”, tha Zyba.
