Lëvizja “FOL” ka vlerësuar lartë procesin e përzgjedhjes së kryesuesit të KPK-së dhe zëvendëskryesuesit, duke konsideruar se funksionimi i mirëfilltë i KPK-së është thelbësor për integritetin, pavarësinë dhe llogaridhënien e sistemit prokurorial.
FOL shpreson që kjo përbërje e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të shërbejë si një mundësi reale për të avancuar reformat dhe për të rritur besimin e qytetarëve në këtë institucion të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.
“FOL përshëndet përzgjedhjen e z. Arian Gashi në pozitën e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), dhe njëherazi vlerëson lartë procesin e përzgjedhjes dhe konsideron se funksionimi i mirëfilltë i KPK-së është thelbësor për integritetin, pavarësinë dhe llogaridhënien e sistemit prokurorial në Kosovë. KPK ka një rol kyç në garantimin e një sistemi prokurorial profesional, të pavarur dhe efikas. Në këtë drejtim, FOL konsideron se është me rëndësi që KPK të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar integritetin, llogaridhënien dhe besimin e publikut. Në veçanti, është e rëndësishme që të shpallet sa më shpejt konkursi për Kryeprokuror të ri të Shtetit, të forcohen mekanizmat për vlerësimin e performancës dhe përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve, si dhe të rritet transparenca dhe hapja e institucionit ndaj publikut, mediave dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile. FOL shpreson që kjo përbërje e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të shërbejë si një mundësi reale për të avancuar reformat dhe për të rritur besimin e qytetarëve në këtë institucion të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagimin e “FOL”.