Kompania lider e turizmit Sharr Travel ka nisur zyrtarisht sezonin turistik, duke shënuar njëkohësisht edhe fillimin e aktiviteteve promovuese për vitin 2026. Hapja u realizua në ambientet e AMH Hotel, në praninë e mediave nga Kosova, partnerëve hotelierë dhe përfaqësuesve të industrisë së turizmit.
Menaxheri i AMH Hotel, Gentian Fezga vlerësoi lart bashkëpunimin shumëvjeçar me Sharr Travel, duke theksuar kontributin e madh që kjo agjenci ka dhënë në rritjen e numrit të turistëve nga Kosova në brigjet e Durrësit. Ai nënvizoi se ky partneritet është jo vetëm i suksesshëm në aspektin ekonomik, por edhe një shembull i bashkëpunimit mbarëkombëtar.
“Sharr Travel është një nga agjencitë kryesore që bashkëpunon me ne. Jemi mirënjohës që prej tri vitesh ka dhënë kontribut të madh në turizmin e Durrësit dhe jemi shumë të lumtur që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe këtë vit. Urojmë që të jetë i suksesshëm dhe sot është edhe një ditë feste urojmë edhe fillimin e sezonit të ri”, ka thënë ai.
Drejtori i Sharr Travel, Ruzhdi Kurtishaj, deklaroi se sezoni i ri hapet me sloganin e ri promovues “Vera thërret, Shqipëria të mirëpret”, duke ftuar shqiptarët e Kosovës që të zgjedhin bregdetin shqiptar për pushimet e tyre. Ai theksoi se viti 2026 pritet të jetë një vit kthesë për turizmin, me rritje të ndjeshme të rezervimeve drejt Durrësit, falë ofertave konkurruese dhe shërbimeve cilësore.
Kurtishaj theksoi se AMH Hotel ofron shërbime All Inclusive, si dhe gjysmë-pansion për para-sezonin, duke e bërë atë shumë të përshtatshëm për familje dhe grupe turistike.
“Pikërisht në Ditën e Verës kemi ardhë për të hapë sezonin turistik dhe përveç se kemi ardhë për të hapë sezonin turistik në Ditën e Verës ne këtë vit kemi dalë edhe me një thirrje, pra me sloganin e ri “Vera Thërret, Shqipëria të mirëpret”, për të vazhduar bashkëpunimin që kemi nis më tepër se dy ose tri dekada më herët dhe sigurisht në 30-vjetorin e Sharr Travel ne kemi shumë për të thënë dhe për të bërë bashkë me ju dhe me hotelet tjera ku ne do të vazhdojmë punën gjatë vitit 2026. Sigurisht viti 2026 do të jetë një vit i kthesës se shqiptarëve të Kosovës në brigjet e Durrësit”, ka deklaruar Kurtishaj.



Pas hapjes së sezonit të verës në AMH Hotel, përfaqësues të Sharr Travel kanë vijuar vizitën e saj zyrtare edhe në një nga hotelet e bregdetit shqiptar, Prestige Resort.
Menaxherja e Prestige Resort, Elira Bregu ka falënderuar Sharr Travel, për bashkëpunimin, duke shtuar se ky bashkëpunim do të jetë edhe më i fuqishëm.
“Ju faleminderit për kohën mbi të gjitha që kishit për të ardhur këtu tek ne. Faleminderit për bashkëpunimin kaq vjeçar që kemi me njëri-tjetrin edhe sivjet bashkëpunimi do të jetë akoma më i fuqishëm sepse kemi gjëra të reja që do t’i sjellim tregut, turizmit, pushuesve tonë, që kështu Dita e Verës sot edhe vera do të jetë fitimprurëse në të gjitha drejtimet edhe shumë relaksuese për klientët”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Drejtori i Sharr Travel, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar se është jashtëzakonisht i lumtur që pikërisht në Ditën e Verës kanë hapur sezonin turistik “Vera thërret, Shqipëria të mirëpret”.
“Kjo do të jetë logoja zyrtare e Sharr Travel gjatë vitit 2026 e cila do të ketë fokus bashkimin e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës por edhe nga Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci, gjithë lugina dhe diaspora jonë që pushimet e tyre i planifikojnë me kohë për destinacion turistik që do të jetë Shqipëria për të gjitha zyrat e Sharr Travel dhe zyrat tona ndërlidhëse në gjithë Kosovën”, ka thënë Kurtishaj.
Kurtishaj, ka treguar se në kuadër të 30 vjetorit të punës së Sharr Travel, kanë lansuar edhe një ofertë speciale për herë të parë në Shqipëri.
“Ne kemi edhe 30-vjetorin e punës sonë në turizëm dhe si kompani turistike kemi lansuar edhe një ofertë speciale për herë të parë në Shqipëri për rezervimet early booking, apo rezervimet e hershme dhe nga ky vend dua të iu bëj thirrje qytetarëve, sidomos diasporës që përmes Sharr Travel të përfitojnë nga ofertat me një zbritje deri në 30%. Nuk do të ketë ndryshime në çmime por mbi të gjitha ata do të kenë mundësi të rezervojnë dhoma qysh tash dhe të kenë mundësi të rezervojnë vendet e tyre ku ata dëshirojnë të kalojnë pushimet verore që është shumë e rëndësishme që ato pushime mos të jenë të konceptuara vetëm fundjavën e fundit për të planifikuar pushimet sepse është e pamundur që brenda tri ditësh të gjendet resorti i caktuar apo dhomat e caktuara, pra të preferuarat e tyre”, është shprehur ai.
Sipas tij Prestige Resort është një nga vendet me hapësirën më të madhe gjelbëruese.
“Ne jemi këtu në Prestige në vazhdimësi të bashkëpunimit tonë, e thatë edhe ju kemi kaluar një dekadë në bashkëpunim, është një prej vendeve më të mira, me hapësirën më të madhe gjelbëruese, jo vetëm me hapësirën më të madhe gjelbëruese sepse jemi mu në mes të pishave, por ka edhe pishinën e cila është e furnizuar me ujë të detit e cila ka edhe tri pishina tjera, ka edhe akua parkun, kështu që destinacion 3 ose 4 hektar që do të jetë në dispozicion të gjithë pushuesve dhe pushuesit nga Kosova ne e dimë që përbëjnë numrin më të madh të pushuesve në përgjithësi në Shqipëri apo të turistëve dhe ne sot hapim sezonin turistike nga Prestige Resort”, ka shtuar Kurtishaj.


Vizita e mediave në Durrës konfirmoi se siguria, cilësia e shërbimit dhe mikpritja janë në nivelin më të lartë për sezonin që vjen, ndërsa slogani “Vera thërret, Shqipëria të mirëpret” po shndërrohet në mesazhin kryesor që fton çdo shqiptar të Kosovës të pushojnë në vendin e tij, me standarde evropiane.