Kërcënimet e reja nga Serbia për gjithë rajonin

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 16:24 | Nga Blerim Shala

CM-400.

Duket që ky është kodi i telasheve më të reja të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Kemi të bëjmë, siç është marr vesh gjithandej në këto anë të Evropës (lajmet i këtij lloji kanë shpejtësi më të madhe se raketat), me raketat ballistike supersonike të cilat Ushtria e Serbisë i ka blerë prej Kinës.

Tashmë u shpjegua që këto nuk janë armë mbrojtëse apo defanzive, por armë sulmuese/ gjegjësisht ofenzive.

Siç edhe mund të merrej me mend, rajoni u alarmua, veçmas Kroacia dhe Kosova, teksa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pa të udhës të lavdërohet me këtë armatimin më të ri kinez  (të cilin sipas tij nuk e ka kush në Evropë) dhe të paralajmërojë që javët dhe muajt vijues do të sigurojë furnizim shtesë të armatimit të Ushtrisë së Serbisë. Të gjitha këto prurje të reja në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë, e cila siç dihet është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë), dhe e Ushtrisë së Jugosllavisë, të cilat bënë krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit kudo që munden në territoret e Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, sipas Presidentit të Serbisë do të ekspozohen me 28 qershor, kur do të festohet Dita e Vidovdanit.

Lajmi për këto raketa kineze mezi u përvijua këtupari, në këtë pjesë të Evropës, në këtë tymin e madh mediatik që i është qepur rrëmujës në ndodhje e sipër në luftën e Lindjes së Mesme.

Dihet çka po ndodhë atje. Mund të thuhet. Por, me saktësinë edhe më të madhe mund të shtohet: Nuk dihet  (fare) se çka po ngjanë në këtë luftë. Dhe kur do të merr fund. Dhe në ç’mënyrë do të merr fund. Dhe gjëra të ngjashme. Krejtësisht të paqarta.

Por një herë kur raketa kineze pati shpërthimin në media, pastaj, njëlloj si ato fishekzjarrët  (po ashtu kineze), nuk la pa e zdritur politikën në këtë pjesë të Ballkanit.

Qeveria e Kroacisë kumtoi që e ka ndërmend ta ngritë këtë çështje në Aleancën Veri-Atlantike. Natyrisht, pati reagime edhe nga Qeveria e Kosovës.

Diçka e pritur dhe e kuptueshme. Diçka që vërteton  (fatkeqësisht), që politika e sotme zyrtare e Serbisë nuk e ka ndërmend t’i ulë armët e të gjitha llojeve  (para se të gjithash ato të karakterit politik), dhe që Presidenti i Serbisë është qendër kryesore e kërcënimeve për destabilizimin e Ballkanit.

Shpjegimet dhe arsyetimet e Vuçiqit pse ka hyrë në këtë cikël të sigurimit të armatimit më bashkëkohor me prejardhje kineze  (gjë që është problem në vete kur dihet raporti i SHBA-së me Kinën dhe legjislacioni i miratuar vitin e shkuar nga Washingtoni, me nënshkrimin e Presidentit Trump), ka tipare të një rrëfimi klasik propagandistik. Kroacia, Shqipëria dhe Kosova  (gjegjësisht, siç dekkalrohet ai, Zagrebi, Tirana dhe Prshtina, për ta shmangur përdorimin, edhe në këtë kontekst të Kosovës), kanë bërë Aleancë ushtarake dhe ato mezi po presin të krijohen rrethanat që së bashku t’ia mësynë Serbisë.

Natyrisht, në rrethanat në të cilat gjindet Presidenti i Serbisë dhe pushteti i tij, në vijim të kërcënimeve gjithnjë e më të mëdha që vijnë nga brenda, nga Lëvizja studentore, Vuçiqit i duhet të prodhojë sa më shumë ’armiq të jashtëm’, për ta justifikuar gjithë këtë blerje të armatimit dhe forcimin e paparë të Ushtrisë së Serbisë që nga fund i luftës në Kosovë, në muajin qershor të vitit 1999.

Vuçiq e di fare mirë që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, nuk kanë kurrfarë interesi tjetër ushtarak dhe të sigurisë, pos që të bashkëpunojnë në të mirë të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse.

Nuk është rendi dhe as synimi i këtyre tri shteteve që të kanë punë fare me Serbinë. Pos në këtë segmentin e forcimit të mbrojtjes.

Dihet çka na flet historia në këtë kontekst. Apo jo. Dihet shumë mirë kush ka qenë përgjegjës këtupari për shkaktimin e luftërave dhe tragjedive të mëdha. Teksa pushteti i ri i Serbisë, duket që nuk po kupton që kohërat e luftërave dhe të tragjedive, të shkaktuara nga Beogradi, kanë kaluar një herë e përgjithmonë.

Të ngjashme