Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së, Jakaj: Osmani gaboi me mosemërimin e anëtarit të dytë të PDK-së

Prishtinë | 25 Mar 2026 | 12:44 | Nga Artiona Çitaku

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se presidentja e vendit Vjosa Osmani ka gabuar me mosemërimin e anëtarit të dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Jakaj, ka deklaruar se neni 139 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton qartë mënyrën e përbërjes dhe propozimit të anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës tek neni 139 janë të përcaktuar mënyra se si propozohen dhe kush duhet të jetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka gabuar kur i ka propozuar tre kandidatë, por edhe zonja Osmani ka gabuar kur nuk i ka dekretuar dy kandidatët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pra nuk do të duhej që zonja Osmani të mos e dekretonte njërin kandidat të nominuar nga radha e PDK-së sepse sipas kushtetutës, sipas frymës së këtij neni dihet se cilët janë grupet më të mëdha parlamentare, realisht është Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK edhe AAK. Sipas Kushtetutës neni 139 janë gjashtë anëtarë që duhet të jenë nga grupet më të mëdha parlamentare, dy për Lëvizjen Vetëvendosje, dy për PDK, një për LDK dhe një për AAK. Ky rregull nuk do të duhej të përjashtohej, ne e kemi edhe praktikën e vitit 2021, kur zonja Osmani i ka dekretuar sipas kësaj formule dhe këtë nuk do të duhej ta shmangte edhe kësaj here”, tha Jakaj.

Sipas tij, kjo çështje nuk do të duhej të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit është mjaft e qartë në këtë aspekt.

 “Por nuk do të duhej të vinim tek Gjykata Kushtetuese, Kushtetuta është e qartë në këtë aspekt dhe nuk do të duhej të bëhej problem. Po e përsëris dy Vetëvendosje, dy PDK, një LDK dhe një AAK, kjo është formula që do të duhej ta përdorte Zonja Osmani, ndërkohë 1 i nominuar nga radhët e komunitetit joshumicë serb dhe tre nga komunitetet e tjera dhe siç e dini i 11-ti që është kryesuesi që vjen nga anëtarët e Gjykatës Supreme”, tha Jakaj.

Jakaj, ka deklaruar se një kërkesë të tillë në Gjykatën Kushtetuese, njëjtë sikurse Osmani e ka bërë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, dhe e cila me aktvendim është shpallë e papranueshme.

 “Nuk mund të paragjykojmë për situatën ose pse ajo ka bërë një gjë të tillë, por nuk ka qenë e drejtë dhe e arsyeshme që të dërgohet edhe lënda në Gjykatën Kushtetuese, pyetja e saj, sepse një pyetje të tillë e ka dërguar edhe ish presidenti zoti Thaqi, ku Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktvendim për papranueshmërinë domethënë nuk e ka pranuar lëndën si të tillë, për arsye se presidenti duhet të vendos sipas 2 kritereve, sipas kriterit kushtetues që ka një dispozitë kushtetuese dhe sipas bindjes së vet”, tha Jakaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.

Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është pasi e njëjta ka pranuar më shumë propozime nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend sesa parashikohet me Kushtetutë.

Kurse, të martën nga Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media thanë se presidentja Osmani po bën shkelje kushtetuese me mosemërimin e anëtarit të dytë në KQZ nga kjo parti./Ekonomia Online

Të ngjashme