Shala: Serbia po synon rikthim territorial, ndërkombëtarët në heshtje

Prishtinë | 28 Mar 2026 | 08:30 | Nga Gzim Mujaj

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se veprimet e fundit të ushtrisë së Serbisë dhe aktivitetet ushtarake pranë kufirit me Kosovën dëshmojnë për një mungesë reagimi nga faktori ndërkombëtar.

Shala në një intervistë për Ekonomia, theksoi se, përveç pranisë ushtarake në brezin kufitar dhe aktiviteteve në Kosovën Lindore, shqetësuese mbetet edhe furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina, duke shtuar se këto zhvillime nuk duhet të kalojnë pa reagim nga ndërkombëtarët.

“Pra, sa i përket veprimeve të fundit nga ana e ushtrisë së Serbisë, sa i përket edhe aktivitetit ushtarak në brezin kufitar me Republikën e Kosovës në pjesën e Kosovës Lindore, njëkohësisht edhe çështjet me armatimet që janë duke blerë në kohët e fundit nga Kina, e dëshmon një fakt një heshtje të faktorit ndërkombëtar, i cili padyshim nuk do të duhej që të kalojë pa u diktuar dhe pa reaguar. Sepse mos harrojmë një gjë, një shtet i cili ka shpallur neutralitetin dhe njëkohësisht ka pretendime territoriale në Ballkanin Perëndimor është vetëm Serbia. Një shtet i cili ka një orientim pro-rus dhe pro-Pekinit është vetëm Serbia. Pra, këto dy elemente do të duhej të ishin faktor reagues nga faktori ndërkombëtar, por që në fakt nuk ka ndodhur një gjë e tillë. ”, tha ai.

Shala theksoi se këto veprime tregojnë se Kosova po përballet me operacione psikologjike dhe informative ushtarake, duke shtuar se ato reflektojnë një qëllim më të gjerë të Serbisë për rikthim në territore, sipas dokumenteve të saj zyrtare.

“Në aspektin tjetër, ushtrimet e tilla në një zonë ku veprimet janë tërësisht një mesazh dhe një veprim informativ ushtarak, një mesazh ndaj popullatës me shumicë shqiptare, pra është një tregues që Kosova është duke rrëshqitur në një ballafaqim të operacioneve psikologjike informative ushtarake, por njëkohësisht është një veprim i cili tregon një përmasë më të gjerë, sepse Serbia ka një qëllim dhe një synim që është rikthimi i saj në territorin sipas dokumenteve të tyre zyrtare”, tha ai.

Shala, po ashtu vlerësoi se kërcënimet e vazhdueshme nga Beogradi zyrtar ndaj Kosovës janë pjesë e një strategjie të mirëfilltë shtetërore, që përfshin dimensione ushtarake, informative dhe politike.

“Sa i përket kërcënimeve permanente të narrativës së Beogradit zyrtar, tanimë këto kërcënime janë në vazhdën e një strategjie të mirëfilltë nga ana e Beogradit zyrtar. Kërcënimet e tilla edhe ndaj krerëve institucionalë të Republikës së Kosovës, kërcënime në forma të ndryshme ushtarake, shërbimeve informative dhe elementeve të tjera edhe të atyre politike, e jep indicien e asaj që Beogradi tanimë është rikthyer në qendër të veprimeve destruktive, dezinformuese, qëllimshme, asimetrike ndaj Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera”, tha ai.

Ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar lidhur stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën.

Kurti tha se ky është një provokim i Serbisë, që dëshiron të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, por në të njëjtën kohë sipas tij, tregon pasigurinë e tyre./Ekonomia Online

Të ngjashme