Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka propozuar një draft-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës dhe viktimave të luftës, raporton Ekonomia Online
Ajo tha se sot Kosova po përballet me përpjekje për shtrembërimin e historisë së vendit.
“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht grupit parlamentar, kemi përgatitur një draft-rezolutë, të cilën e kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës, në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës.
Sot përballë nesh nuk kemi vetëm sfida politike apo institucionale, kemi një sfidë edhe më të thellë dhe më të rrezikshme: përpjekjen për ta shtrembëruar historinë tonë. Kujtesa nuk është vetëm e kaluara; kujtesa është identitet, është themeli mbi të cilin qëndrojmë ne si shoqëri.
Ne kemi dhënë një draft-propozim. E nderuara kryetare, jemi të gatshëm ta diskutojmë; kërkojmë që të futet në rendin e ditës si pikë e parë, menjëherë pas pyetjeve parlamentare. Nuk ka kuptim që Kuvendi sot të sillet normalisht dhe të mos e miratojë këtë rezolutë si hap i parë. Jemi të hapur për diskutim, për plotësime, mirëpo për PDK-në është e domosdoshme që kjo rezolutë të hyjë në rend të ditës dhe të jetë pika e parë që trajtohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha Çitaku.
Kjo gjeti përkrahje nga grupet parlamentare të partive të tjera.
Por nga Lëvizja Vetëvendosje u tha të zhvendoset si pikë e fundit e rendit të ditës. Ndërsa LDK ishte e hapur.
Shefja e grupit parlamentar nga LVV, Arbërie Nagavci e përkrahi kwtw rezolutw, mirëpo tha të jetë e renditur si pikë e fundit të rendit te ditës.
“Ashtu sikurse diskutuam edhe në takimin e kryesisë bashkë me shefat e grupeve parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar e gatshme të kontribuojë në një rezolutë, e cila do të paraqiste përmbajtësisht në aspekt shumëdimensional çështjet që trajtojnë luftën e fundit. Në lidhje me këtë, ne jemi të gatshëm që të delegojmë deputetët tanë, sikurse biseduam edhe në takim, që bashkë me deputetët e grupeve të tjera parlamentare të punojnë gjatë ditës dhe të vijnë me një rezolutë, e cila i adresohet këtyre çështjeve në mënyrën më të mirë të mundshme ashtu siç pritet edhe nga Kuvendi. Pra, ne jemi të gatshëm të dërgojmë deputetët tanë si pjesë e një grupi të përbashkët me përfaqësuesit e të gjitha partive dhe deri në fund të ditës të sjellim një draft për të miratuar në Kuvend“, tha ajo.
Ndërsa shefja e grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku tha se e përkrahin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shqyrtuar tekstin e rezolutës dhe në parim pajtohem për të sepse është obligim i yni që ta mbrojmë sakrificën e popullit tonë për liri. Gjithsesi jemi të gatshëm të kontribuojmë në komision të përbashkët, nëse ka një iniciativë për ta modifikuar dhe plotësuar tekstin e kësaj rezolute”, thotë ajo.