Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të respektojë procedurat parlamentare gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke theksuar nevojën që në mes të dy leximeve të adresohen të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që projektligji të kalojë një test eventual në Gjykatën Kushtetuese.
IKD rikujton se Qeveria e Kosovës, në kundërshtim me rregulloren e saj, ka shmangur procesin e konsultimeve publike, duke e proceduar projektligjin në Kuvend pa zhvilluar asnjë konsultim paraprak.
“Kjo duke miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë, pa zhvilluar asnjë proces të konsultimeve publike.”
Sipas IKD-së, pas shqyrtimit të projektligjit që pritet të diskutohet këtë të premte në Kuvend, rezulton se shumica e rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese janë adresuar në parim, por ende mbeten disa çështje që kërkojnë trajtim shtesë.
“Megjithatë, ka ende disa çështje të mbetura, të cilat lehtësisht mund të adresohen në mes të dy (2) leximeve, ashtu që mos të mbeten hapësira të cilat rrezikojnë kushtetutshmërinë e Projektligjit për Byronë.”
Ndër çështjet kryesore që IKD konsideron se duhet të trajtohen është shumica e nevojshme për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Byrosë, për të cilën sugjerohet mundësia e përcaktimit të një shumice të kualifikuar.
“Një gjykatë kushtetuese nacionale zakonisht ndërhyn kur ka mungesë të një garancioni, e jo kur ligji i zakonshëm parashikon një garancion më të rreptë, si në rastin konkret, i cili do të përforconte pavarësinë dhe karakterin përfaqësues të [autoritetit kompetent për fillimin e konfiskimit civil].”
Po ashtu, IKD thekson mungesën e një divizioni të specializuar në Gjykatën e Apelit për trajtimin e këtyre rasteve, si dhe nevojën për qartësim më të madh lidhur me kompensimin e palëve në procedurë.
“Prandaj, në mes të dy leximeve, duhet të shqyrtohet mundësia që kjo dispozitë të qartësohet më tej, ashtu që e drejta në kompensim të mos mbetet vetëm deklarative, por të jetë e rregulluar në mënyrë të qartë dhe efektive në vetë Projektligjin për Byronë.”
Një tjetër pikë që kërkon saktësim është barra e provës në procedurat gjyqësore, për të shmangur interpretimet që mund të cenojnë të drejtat e palëve.
“Standardi duhet të jetë që para se barra e provës të kalojë tek pala, Byroja të dëshmojë të paktën prima facie ekzistencën e pasurisë së pajustifikuar.”
IKD ngre gjithashtu çështje lidhur me kompetencat për miratimin e Kodit të Mirësjelljes për zyrtarët e Byrosë, si dhe përkufizimin e blerësit me mirëbesim, duke kërkuar qartësi më të madhe ligjore për të shmangur interpretimet e paqëndrueshme.
IKD thekson se ky projektligj, i cili është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese dhe po shqyrtohet për herë të tretë, nuk duhet të kalojë me procedurë të përshpejtuar.
“Të gjitha dilemat e ngritura duhet të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, në mes të dy (2) leximeve në Kuvend.”