Rriten vdekjet në vendin e punës, Azemi fajëson kompanitë dhe shtetin: Qeveria nuk ka bërë asgjë

Prishtinë | 16 Pri 2026 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Rritja e numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese.

Rasti i fundit është regjistruar të mërkurën ku një 48 vjeçar ka humbur jetën pas lëndimeve në vendin e tij të punës në një kompani në zonën industriale në Shtime.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se përgjegjësia kryesore për këto raste bie mbi pronarët e kompanive dhe institucionet shtetërore, duke përmendur edhe varfërinë si faktor shtesë që i detyron punëtorët të rrezikojnë jetën.

Sipas tij, mungesa e kushteve të sigurisë dhe neglizhenca institucionale kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e këtyre rasteve.

“Rastet e vdekjeve në vend të tyre të punës, kryesisht fajtorë kryesorë janë në radhë të parë pronarët e kompanive, pastaj fajtorë janë edhe Qeveria e Kosovës. Po të themi në aspektin tjetër, fajtor është edhe varfëria të cilën e kemi, dhe ne shpeshherë për shkak të varfërisë po duhet me rrezikuar jetën tonë. Po prioritet është që pronarët e kompanive nuk janë në nivelin e duhur. Fatkeqësisht, vitin e kaluar dhe ky vit, po themi me shumë fjalë të rënda, që viti 2025 dhe ky vit ka nisur me një numër tepër, tepër të madh të punëtorëve që po humbin jetën në vendin e tyre të punës. Derisa në vitin 2025 kemi pasur 32 raste të vdekjeve, kurse deri më 15 prill kemi pasur 8 raste të vdekjeve në vendin e tyre të punës”, u shpreh ai.

Ai tha se familjarët e punëtorëve në vendin e punës po injorohen nga qeveria.

“Jo që nuk kanë mbështetje, po ka edhe një lloj ironie, që në shumicën e rasteve edhe të drejtën e punëtorit që e humb, pa fajin e tij, ne në njëfarë forme po dëmtohemi. Qeveria nuk ka bërë asgjë, as kjo qeveri, as qeveritë e mëhershme. Sepse ne me dekada kemi kërkuar që të ketë një fond të veçantë që do ta menaxhonte vetë Qeveria e Kosovës për këto raste kur kemi raste për shembull të humbjes së jetës së punëtorëve. Që ceremonitë e varrimit të kryhen përmes këtij fondi dhe këto familje të kenë një mbështetje financiare për një periudhë të caktuar. Po realisht ata mund të thonë gjithçka, po fatbardhësisht po them që ata s’po kanë çka thonë, se nuk janë duke u marrë, nuk janë duke u trajtuar dhe nuk jemi duke u trajtuar si njerëz fare më shumë”, tha Azemi.

Ndërsa i pyetur se a po merren masa edhe ndaj punëdhënësve, Azemi thotë se vet shteti ka faj në këtë.

“Pronarët e kompanive fare nuk po e kanë këtë problematikë, sepse vetë shteti po ua mundëson që mos ta kenë këtë. Sepse të gjithë punëtorët që kanë humbur jetën e tyre në vendin e tyre të punës, disa fare nuk i kanë marrë, i mbajnë nga 48 orë në paraburgim dhe të nesërmen ai shkon në shtëpi. Përderisa punëtorët po shkojnë normal te varrezat”, u shpreh tutje ai.

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka marrë vendim për nisjen e një aksioni të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve.

“Me vendimin e nënshkruar nga Ministri Hoti, urdhërohet Inspektorati Qendror i Punës që të hartojë një plan emergjent për fillimin e menjëhershëm të një aksioni të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, aksioni do të zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës për një periudhë 15-ditore, me fokus të veçantë në kantieret ndërtimore dhe aktivitetet me rrezik të lartë.

 “Qëllimi i këtij aksioni është rritja e nivelit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, parandalimi i aksidenteve në vendin e punës dhe mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, theksohet më tej.

Inspektimet do të zhvillohen në mënyrë intensive, përfshirë edhe gjatë ditëve të festave dhe jashtë orarit të rregullt të punës. Në rastet kur evidentohen shkelje të rregullave bazike të sigurisë, institucionet kanë paralajmëruar masa të menjëhershme.

Ndërkohë, Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka reaguar duke e cilësuar situatën si alarmante, por ka kërkuar qasje të balancuar.

Ata kanë bërë thirrje për zbatim më rigoroz të standardeve të sigurisë dhe për bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

“Qasja jonë është e qartë dhe e vendosur: jo fajësim, por parandalim, ku mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve është prioritet absolut”.

Të ngjashme